E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish humbje, Partizani tashmë luan si inferior

Altin Latifi 

TIRANE-Ky Partizan duket se ka probleme të mëdha dhe që nuk i zgjidh dot asnjë deklaratë presidenti, sado bombastike qoftë ajo. Të kuqtë dje kanë pësuar humbjen e gjashtë për këtë sezon, një rekord i denjë për një skuadër inferiore të futbollit shqiptar. Përballë Shkumbinit ka qenë një disfatë në të gjitha aspektet, por sidomos në lojën e treguar në fushë. Ishte ndeshja e parë e Shpëtim Duros në kampionat dhe natyrisht që skuadra kishte pësuar disa ndryshime, sidomos në mënyrën e vendosjes. Veçse, loja ka qenë një katastrofë e vërtetë. Aq sa fitorja e Shkumbinit në fund u duk thjeshtë si një formalitet. Me trajnerin e kombëtares Ari Han në tribunë, Partizani tregoi se këtë vit nuk mund të ketë asnjë objektiv tjetër përveçse të shpëtojë nga rënia. Në fakt, vërtetë Partizani ishte në vend të fundit, por deri tani pati zhvilluar një lojë vërtetë të kënaqshme. Aq sa, ndonjë rezultat ka qenë disi i gënjeshtërt, sidomos në derbin me Tiranën apo ndeshjen me Bylisin.
Ndeshja
Shkumbini u fut në fushë i vendosur, duke treguar se vitet kur pikët merreshin vetëm në shtëpi, tashmë kanë kaluar. Goli i parë erdhi pas gjysmë ore lojë me autor Rizvanollin, që vazhdon të shënojë rregullisht në kampionat. Me këto shifra skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes. Në fraksionin e dytë, nuk kaluan as 8 minuta dhe Arlind Nora shënoi golin e sigurisë. Në fakt, pritej një reagim i të kuqve, por ai nuk erdhi në asnjë moment të ndeshjes. Deri në fund, një ndeshje që më shumë u zhvillua në mesfushë dhe pa shumë raste të pastra.
Trajnerët
Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit Shpëtim Duro u shpreh tepër i zhgënjyer me atë që dhuroi skuadra e tij në fushë. Ndoshta as ai vetë nuk e kishte menduar një paraqitje të tillë, sidomos në aspektin e lojës. "Mendoj se është një problem psikologjik i futbollistëve, pasi pashë që sot gabonim edhe në pasimet më të thjeshta", tha ai. "Të them të drejtën e kisha menduar se situata do të ishte e vështirë, por që lojtarët të mos bëjnë 2-3 pasime të thjeshta, kjo ishte vërtetë e habitshme", deklaroi në fund trajneri i Partizanit. Gjithsesi Duro ka qenë me këmbë në tokë që në momentin që mori drejtimin e skuadrës, kur deklaroi hapur se objektivi ishte shpëtimi. Në krahun tjetër, trajneri i Shkumbinit Gugash Magani foli me nota keqardhje për ish-skuadrën e tij, Partizanin. "Natyrisht që jam i kënaqur me këtë fitore, por më vjen keq, si ish-lojtar i Partizanit, që kjo skuadër është në këtë gjendje. Shpresoj t'ia dalin, pasi është një fanelë e rëndë", tha ai.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›