E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Kroacisë, ministra dhe bukëpjekës

 

ZAGREB-Në Kroaci jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptarësh. Janë rreth 35-40 mijë shqiptarë, të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që jetojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi. Ata kanë të gjithë një emër: shqiptarë, pavarësisht nëse janë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, apo Maqedonia. Ky komunitet është i organizuar në bashkësi, këshilla, në shoqata të intelektualëve, të grave, kulturore e artistike. Pjesa më e madhe jetojnë në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në qytete të tjera, madje dhe në Pula, qyteti më verior i vendit, pranë kufirit me Italinë. Teksa udhëtojmë në qytete të ndryshme të Kroacisë, takojmë mjaft prej tyre. Bisedojmë për jetën e përditshme, për integrimin në jetën e shoqërisë kroate. Në Zagreb, komuniteti i shqiptarëve përbëhet nga 5 000-7 000 qytetarë, prej të cilëve 3 300 kanë të drejtë vote. Pëllumb Qazimi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Zagreb, shprehet me nota maksimale për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci. “Shqiptarët e Kroacisë janë qytetarë dinjitozë, punëtorë, që respektojnë ligjin dhe janë të integruar në shoqërinë kroate”, na thotë ai teksa ndodheshim në selinë e Ambasadës, ku kishim shkuar bashkë me përfaqësuesei e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal të Vlorës (AULEDA).
Qazimi kujton për ATSH-në dhe një fakt, pothuaj të panjohur për opinionin: në Kroaci dhe pikërisht në Zarë (Zadar), disa dhjetra kilometra nga Zagrebi, jeton një komunitet i vjetër shqiptarësh (arbanas). Ata kanë ardhur këtu para rreth 300 vitesh nga trojet shqiptare dhe tashmë përbëjnë një komunitet të konsoliduar, që ruan mjaft nga traditat dhe zakonet e të parëve të tyre.
Nga ky komunitet është akademiku, ilirologu dhe historiani i njohur Aleksandër Stipçeviç, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Kroaci-Shqipëri. Po ashtu, nga ky komunitet është dhe ministri aktual kroat i Transportit, Bozhidar Kallmeta. Mbiemri i tij, reflekton origjinën e të parëve, nga Kallmeti i Lezhës. Madje, emrin e krahinës së origjinës të të parëve të tij, zoti Kallmeta, ia ka vendosur një segmenti të autostradës së re që lidh qytetin e Splitit me Zagrebin.
Shumica e shqiptarëve të Kroacisë janë nga Kosova dhe Maqedonia. Ata kanë përfaqësuesit e tyre edhe në botën e artit, kulturës, kinemasë, botën universitare e akademike, sportive, etj. Mes emrave spikat ai i balerinit Ilir Kerni, i cili njihet dhe respektohet edhe në botën e artit në Kroaci. Shqiptarët e Kroacisë botojnë dy revista periodike në gjuhën shqipe dhe kroate, si dhe botime të tjera.
“Komuniteti shqiptar ka një rol të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kroacisë. Kontributi i tij, njohjet dhe respekti që shqiptarët gëzojnë në Kroaci, inkurajojnë e vendosin linja më dashamirëse komunikimi e bashkëpunimi mes dy popujve e dy vendeve tona”, thotë ambasadori. Ashtu si përcaktohet zyrtarisht në Kroaci, shqiptarët e këtushëm përbëjnë një pakicë kombëtare. Me ligj pakicat kombëtare janë të organizuara dhe finan-cohen nga qeveria për veprimtarinë e tyre. Zagreb, pakica shqiptare ka këshillin e vet, të zgjedhurit e të cilit koordinojnë për të gjitha çështjet e tyre me Këshillin bashkiak. Vedat Zogujani, anëtar i këshillit, thotë se kjo mënyrë funksionimi është me efekt dhe reflekton shkallën e lartë të integrimit të pakicës shqiptare në shoqërinë vendase. Ai është dhe sekretar i Shoqatës kulturore të shqiptarëve “Shkëndija”, me qendër në Zagreb. Zogëjani përmend mes veprimtarive të shumta dhe organizimin e përvitshëm të Festës së Pavarësisë, më 28 Nëntor, kur 2 500-3 000 shqiptarë mblidhen në sallën e madhe “Globus”, në Panairin e Zagrebit. Por, nga viti i ardhshëm, ata do të kenë edhe një ditë tjetër, 17 Shkurtin, Ditën e pavarësisë së Kosovës. Zogujani tregon se shoqata që drejton merr pjesë dhe në manifestimet folklorike që organizon Zyra e Pakicave Kombëtare, si dhe në veprimtari sportive. Në një nga ditët që ishim në Zagreb, komuniteti i shqiptarëve organizoi ceremoninë e kthimit në Gjilan të eshtrave dy luftëtarëve shqiptarë që ranë në një nga betejat mes ushtrive të Kroacisë dhe Serbisë. Samet Bogujevci dhe Fadil Saliu, luftëtarë në ushtrinë kroate, dhanë jetën më 13 tetor 1991, në betejën e Gospicit.
Zogujani, ish-atlet i shquar i ekipeve ”Mlladost” dhe “Dinamo”, të Zagrebit, ka qenë 5 herë kampion i Kroacisë (1984-1990) në garën e vrapimit 5 000 dhe 10 000 metra. Ai ka marrë pjesë si atlet i ekipit kombëtar të atletikës së ish-Jugosllavisë edhe në vrapimin 12 km në Sao Paolo, në vitin 1977, ku u rendit ndër vendet e para.
Zogujani thotë se në Zagreb janë 1 300 shqiptarë, që kanë çelur 1 300 subjekte të cilat prodhojnë bukë dhe produkte të tjera brumi. Sipas tij, mund të thuhet pa e tepruar se ky sektor në kryeqytetin kroat dominohet nga shqiptarët. Kjo veprimtari e shqiptarëve konstatohet edhe në Pula, ku jetojnë rreth 3500-4000 shqiptarë. Në zonën turistike të Medulinit, 80 përqind e bareve dhe restoranteve drejtohen dhe administrohen nga shqiptarët. Antonio është njëri prej tyre. Lokali ku na fton është ndër më të mirët e kësaj zone. Tonio tregon se ka ardhur këtu prej më shumë se 15 vjetësh nga Gjakova dhe pothuaj 10 vjet më parë ka arritur të ndërtojë këtë restorant buzë detit, ku punon me bashkëshorten dhe tre vëllezërit. Antonio, 38 vjeçar, ka tri vajza. Lokali i tij është shndërruar në një qendër ku mblidhen shqiptarët e këtij qyteti dhe krahinës. Mjaft shqiptarë gjetëm edhe mbrëmjen që ndodheshim aty. Shaqir Hoti, 63-vjeçar është njëri prej tyre. Ai ka punuar dikur si aviator dhe madje në funksione të larta në aviacion. Në lokal takojmë dhe Idris Sulejmanin, ndoshta më i njohuri ndër shqiptarët në Prefekturën e Istrias. Për Sulejmanin dhe kontributin e tij për çështjen adhetare na kishte folur dhe Ambasadori Qazimi.
Sulejmani bën 70 km për të ardhur në lokalin e Antonios. Është 53-vjeç, por duket shumë më i ri. Ai vjen me bashkëshorten dhe qëndron me ne disa orë. Idrisi është nënkryetar i bashkësisë shqiptare të Prefekturës së Istrias. Ka ardhur këtu më se 20 vjet më parë, nga Tetova dhe ka ndërtuar në këtë zonë bregdetare jetën dhe biznesin e vet - mes të tjerash dy lokale, restorante-bar-piceri, të cilat i sigurojnë të ardhura të qëndrueshme. Por ai nuk lë pas dore vlerat e atdhetarisë.
“Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se jemi shqiptarë dhe të krenohemi me këtë”, thotë Sulejmani. Ai dhe bashkëshortja e tij e re, kroate, e cila po mëson shqip me shumë dëshirë, vijnë shpesh në Shqipëri, ku kanë shumë miq.
Shqiptarët janë punëtorë dhe mbajnë me djersë e me punë bizneset e tyre. “Janë pikërisht ata që kanë kontribuar e përjetuar me qytetari zhvillimet e Kroacisë, që kanë kontribuar e përcjellë me dinjitet e qytetari pavarësinë e Kosovës, që ofrojnë mesazhe dhe shembullin e harmonisë e të marrëdhënieve të mira me kroatët dhe qytetarët e pakicave të tjera”, thotë ambasadori Qazimi.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›