E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish me lobing për të përfituar nga liberalizimi i vizaveNga Tema Pak kohë më parë, në një raport të brendshëm, Komisioni Evropian bënte të ditur se Shqipëria nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave, për shkak se nuk ka përmbushur kush

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sërish me lobing për të përfituar nga liberalizimi i vizaveNga Tema

Pak kohë më parë, në një raport të brendshëm, Komisioni Evropian bënte të ditur se Shqipëria nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave, për shkak se nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara qartësisht në një plan reformash që i janë dërguar qeverisë. Komisioni shtonte gjithashtu se Shqipëria nuk kishte asnjë shans të përfitonte, nëse do të vazhdonte të bënte lobing, pasi kushtet ishin mjaft të qarta.

Por kryeministri shqiptar vazhdon të këmbëngulë se duhet mbështetje për të përfituar liberalizimin e vizave, pasi për kushtet që duhen plotësuar flet shumë pak. Madje disa herë ka deklaruar se vetëm pasaportat biometrike po na lënë pas.

Kështu, gjatë një vizite që po bën në Austri, zyra e shtypit e kryeministrit bën të ditur se Berisha ka takuar kryetarin e grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, të cilit i ka kërkuar që të mbështesë Shqipërinë në liberalizimin e vizave. Zyra nuk ka sqaruar, nëse bëhet fjalë për mbështetje që të plotësohen kushtet që na ka vënë BE apo që të ketë lobing politik që gjërat të përshpejtohen.

“Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me zoti Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili përgëzoi kryeministrin Berisha për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. Kryeministri Berisha e njohu zoti Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve të nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili në vizionin e kryeministrit Berisha do të shërbejë si një road-map për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu, kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Së fundmi janë shtuar zërat, sidomos në mediet e mëdha ndërkombëtare, që kërkojnë një perspektivë të qartë të anëtarësimit të shpejtë të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Shkak për këtë është frika se në rajon mund të shpërthejë ndonjë konflikt i ngrirë. Duke përdorur këtë situatë mjaft delikate, kryeministri, Sali Berisha, disa herë ka bërë deklarata për bashkimin e shqiptarëve, çka ka trazuar Perëndimin. Duke përdorur këtë kartë, kryeministri synon të përfitojë politikisht nga ndonjë nismë në drejtim të lëvizjes së lirë apo integrimit të shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›