Toro: Politikanët më të lartë kanë zaptuar bregdetinNga Bledar LumaniFlet Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro Zoti Toro, si ka ecur gjatë këtyre viteve kompensimi për ish-pronarët? Procesi për kompensimin e ish-
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Toro: Politikanët më të lartë kanë zaptuar bregdetinNga Bledar LumaniFlet Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro
Zoti Toro, si ka ecur gjatë këtyre viteve kompensimi për ish-pronarët?
Procesi për kompensimin e ish-pronarëve, edhe pse tashmë po bëhen rreth 20 vite që ka filluar si proces, është i papërfillshëm. Duke filluar që nga viti 2001 e deri më sot, për dëmshpërblimin e ish-pronarëve janë shpenzuar vetëm 21 milionë dollarë, kundrejt shifrës, që sipas llogarive tona, për të kompensimin e kësaj shtrese duhen të paktën 30 miliardë euro, apo dhe shifrës që në mënyrë të padrejtë jep Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një shifër që është bërë e ditur një vit e gjysmë më parë, e cila është 4.7 miliardë euro. Kjo do të thotë se kjo shifër, pra 21 milionë dollarë, është sa një e dymijta e shifrës reale që duhet për kompensimin e ish-pronarëve. Pra kompensimi deri më tani ka qenë në vlerë të papërfillshme. Por ne nuk i kemi kundërshtuar, pasi qoftë edhe 200 metra tokë është një ndihmë që po u jepet atyre njerëzve, që realisht duhet të jenë njerëzit më të pasur të Shqipërisë, por që për faj të moskompensimit të pronës janë ndër njerëzit më të varfër dhe më pak të vlerësuar, por edhe më të diskriminuar nga shteti, njësoj si në regjimin e Enver Hoxhës.
Përse nuk ka ndodhur kompensimi i ish-pronarëve deri më tani? Për shkak të kostos së lartë për buxhetin e shtetit, apo për mungesë të vullnetit të politikës shqiptare?
Në radhë të parë, është mungesë e theksuar e vullnetit të politikës. Në fakt kompensimi i ish-pronarëve nuk mund të kryhet nga asnjë qeveri shqiptare, për arsye të shifrës së lartë, për arsye të korrupsionit galopant që ka ndodhur gjatë procesit të kthimit të pronave. Duke qenë se në para nuk mund të kompensohen ish-pronarët, shtrohet pyetja se ku mund të kompensohen ata? Ato duhet të kthehen në pronë fizike, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Në Republikën e Shqipërisë, apo dhe në gjithë ligjet ndërkombëtare, prona nuk kthehet vetëm në rast kur përbën interes publik. Por në rastin shqiptar, shumë prona që kanë pasur interes publik nuk ekzistojnë më, janë shkatërruar. Dhe këto nuk u janë kthyer ish-pronarëve. Në vend të tyre janë ndërtuar mijëra e mijëra pallate. Ne nuk kërkojmë që këto pallate të prishen në mënyrë që të na kthehet prona. Për këto ne kemi kërkuar që të kompensohemi. Njëkohësisht janë edhe kopshtet, spitalet, rrugët, rajonet e policisë etj, të cilat nuk i kërkojmë. Tani lind pyetja, duke hequr pronat e mësipërme, ku janë të tjerat dhe përse kjo faturë e kompensimit të ish-pronarëve është rritur kaq shumë? Vlera e kësaj fature është rritur si pasojë e ligjit famëkeq 7501, ku toka, me një ligj komunist, sipas të cilit toka i takon atij që e punon, nuk u dha pronarëve të vërtetë, por iu dha fshatarëve, në mënyrë që të përmirësonin jetesën e tyre. Të paktën ky ishte qëllimi i këtij ligji, por që realisht nuk ndodhi ky fenomen, por ndodhi diçka mjaft negative, që e shkatërroi bujqësinë shqiptare dhe fshatarin shqiptar dhe rriti këtë faturë në vlera shumë të larta. Njëkohësisht duhet thënë se në Shqipëri u privatizuan shumë objekte ku nuk banonin njerëz, mes të cilave qindra dhe mijëra ndërmarrje, reparte, fabrika etj. Ku janë ato sot lind pyetja? Ato u privatizuan me qëllimin me hyrjen e kapitalizimit. Por asnjëra prej tyre nuk ia arriti qëllimit që të rriste prodhimin dhe t’i shërbente shoqërisë shqiptare. Sepse këto privatizime nuk u bënë me qëllimin e përmirësimit të ekonomisë, por me qëllimin e përfitimit të një rrethi të ngushtë njerëzish me lidhje të forta politike. Sot shumë njerëz janë të bërë të pasur si pasojë e këtyre privatizimeve, të cilat duhet thënë se janë bërë me çmime qesharake. Fatura sot për këtë është shumë e lartë dhe për të duhet ta paguajë shoqëria shqiptare.
Duke parë se shumë prona janë braktisur nga ana e fshatarëve, a mendoni se këtu mund t’iu kthehen ish-pronarëve, pasi realisht ato nuk po shfrytëzohen dhe përdoren sipas qëllimit të ligjit 7501?
Nga analizat që kemi bërë ne, në bazë të ligjit 7501, të cilin ne kemi kërkuar që ai të hidhet atje ku e ka vendin në koshin e plehrave, pra të anulohet, kemi parë se çfarë realisht ka arritur dhe sjellë ky ligj. Në bazë të këtij ligji, toka në Shqipëri, që ishte vetëm 560 kilometra katrorë, u nda në më shumë se 2 milionë parcela dhe fshatari që e mori këtë tokë, nuk e mori në një vend të vetëm, por në disa vende të ndara. Si rezultat i këtij ligji nuk mund të formohen as fermat e rendit kapitalist, pasi ato duan mbi 20 hektarë që të formohen. Fshatari shqiptar nuk e gjeti zgjidhjen tek punimi i tokës. Për këtë arsye, nga vitet 91-97, ai emigroi masivisht dhe shkonte të punonte tokat greke dhe italiane, duke braktisur kështu punimin e tokave të veta. Mbas vitit ‘97, si rezultat i stimulimit nga ana e politikës shqiptare, si rezultat edhe i mbylljes së dyerve të emigracionit, ai gjeti një rrugë tjetër. Braktisi tokën e dhënë nga ligji 7501, braktisi fshatin dhe shkoi në zonat dhe tokat që kishin më shumë perspektivë, në ultësirën perëndimore, kryesisht në trekëndëshin Fushë Krujë-Durrës-Tiranë, apo nga Lezha në Fier, ku sot janë vendosur 360 mijë ndërtime pa leje. Pra fshatari braktisi tokën e dhënë nga ligji 7501 dhe zaptoi toka të tjera, të cilat ishin me një titull pronësie të lëkundur, nga e cila më pas përfituan sekserët, që i shitën këto prona. Pra ligji 7501 tregoi që nuk ishte një zgjidhje, pasi fshatarët e braktisën tokën e dhënë dhe nuk e shfrytëzuan atë. Kur them që janë 360 mijë ndërtime pa leje, 250 mijë prej tyre i përkasin fshatarëve, të cilët kanë lëvizur dhe kanë zaptuar toka të tjera, përveç atyre të dhëna nga ligji. Ne kemi shifra të tjera skandaloze, të cilat tregojnë që ligji 7501 është i dështuar, pasi vetëm 50% e tokës punohet. Nga ky, vetëm gjysma e tij punohet me mjete të mekanizuara, 23% punohet me kafshë pune dhe 26% punohet me krahë. Edhe vendi më i humbur i Afrikës nuk e ka këtë nivel dhe mënyre të punuari toke. Prandaj tregtarët shqiptarë e kanë më kollaj të blejnë mallra në Maqedoni, Greqi, apo Itali, pasi prodhimet shqiptare kanë një kosto më të lartë, si rezultat i mënyrës së punimit të tokës.
Mendoni se pronarët e tokave do të arrijnë të kompensohen një ditë?
Jo. Kjo është e pamundur. Prandaj dhe ne jemi shprehur se zgjidhja e problemit të kthimit të pronave është hartimi i një ligji të ri, i cili të mbështetet mbi bazën e kthimit fizik të pronës. Unë kam pasur kontakte me pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë, të majtë e të djathtë, që nga viti 2001, po sidomos me ata të parlamentit të kaluar dhe rezultat i këtyre takimeve ishte miratimi i ligjit 9235 në vitin 2004. Por ky ligj u tjetërsua nga ana e qeverisë sa djathtë pas vitit 2005 për interesat e vet. Në të gjitha këto kontakte, politikanët janë shprehur se ligji 7501 është një ligj regresiv dhe që nuk jep zgjidhje për problemin tonë. Atëherë lind pyetja përse ky ligj nuk është hedhur poshtë dhe të zëvendësohet më një ligj tjetër. Kjo, sepse politikën tonë nuk e udhëheqin mendjet e kthjellëta dhe me interesa të pastra, por e udhëheqin interesa të klaneve të ndryshme, të individëve të ndryshëm, të cilët janë pasuruar me anë të pronave të shqiptarëve.
A janë përdorur ish-pronarët nga politika, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, duke qenë se premtimet e tyre nuk janë mbajtur?
Patjetër, pasi premtimet që pronarët do të kompensohen nuk janë të hershme, por kanë që në vitin 93. Rezultati është ky i sotmi dhe pronarët ende nuk kanë marrë pronën e tyre dhe nuk janë kompensuar për të. Kjo ka ndodhur edhe për shkakun se pjekuria e popullit shqiptar është shumë e ulët dhe pavarësisht se mashtrohen nga politika, këtu e kam fjalën edhe për shtresën e ish-pronarëve, vazhdojnë që të votojnë këtë politikë dhe këta politikanë. Në Shqipëri vazhdohet që të votohet lideri dhe jo politika që ai përfaqëson. Të shkosh pas liderit do të dështosh, pasi ne shembujt i kemi, kur shkuam 40 vjet pas Enver Hoxhës dhe dështuam, ramë në një greminë të thellë ku nuk kishim as bukë të hanim. Pastaj u zgjuam dhe e përmbysëm atë regjim dhe pavarësisht kësaj ne vazhdojnë të na drejtojnë dhe sundojnë liderat.
Gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit ju mbështetët LZHK-në. Kjo ndodhi sepse u zhgënjyet nga PR-ja dhe PD-ja?
Ne nuk kemi qenë dhe as nuk jemi politikanë, pasi nuk kemi kërkuar asnjëherë të jemi pjesë e politikës. Ne nuk u bashkuam me LZHK-në dhe u bëmë pjesë e saj, por krijuam një aleancë, ashtu siç kishim më parë edhe një aleancë, edhe pse jo zyrtare, me Partinë Republikane. Këto zgjedhje ne vendosëm që të kishim edhe disa kandidatë tanë, por nuk u votuam dhe kjo edhe për shkak, siç e thashë edhe më sipër, të papjekurisë së votuesit shqiptar, sidomos e asaj shtrese që ne përfaqësojmë. Ne në vetvete nuk kemi pasur si synim as marrjen e pushtetit dhe as hyrjen në politikë. Objektivat tona kanë qenë kurdoherë zgjidhja e problemeve tona, ku secili pronar të marrë atë që i takon. Por, dua të them që politika, dhe veçanërisht PR-ja, e cila edhe është mbështetur nga ana jonë, ka tradhtuar interesat dhe votën tonë, duke mos mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale.
Mund të thuhet se politika shqiptare është tallur me shtresën tuaj, pasi gjatë këtyre viteve ka bërë shumë pak për zgjidhjen e problemit të pronës private?
Fjala tallje është shumë pak. Ne jemi të gënjyer nga ana e politikës, e cila nuk e ka mbajtur fjalën, nuk mban premtimet dhe pasojat janë shumë të rënda për gjithë shoqërinë shqiptare. Përse ne jemi jashtë Europës? Sepse standardet kryesore të saj janë respektimi i të drejtave të njeriut, në themel të së cilës është e drejta dhe respektimi i pronësisë, e drejtë kjo që në Shqipëri nuk ekziston. Pse nuk liberalizohen vizat? Sepse nuk respektojmë standardet, në themel të së cilës e përsëris, qëndron pikërisht prona. Dhe këto standarde nuk i respekton politika, e cila tallet me fatet e popullit.
Cilat janë rrugët që duhen ndjekur për zgjidhjen e çështjes së pronave?
Ne kemi bërë disa studime, të cilat duhet të jenë bazë për hartimin e një ligji të ri, ligj i cili nuk do të plotësojë as më shumë e as më pak, veçse standardet e Europës. Duhet të qartësohet ku ndahet interesi publik nga ai privat, në mënyrë që secili të marrë hakun e vet. Nëse nuk shpronësohen ata që kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme, ne nuk kemi gjë në vijë, sepse kjo pastaj llogaritet në faturë dhe është shumë e vështirë të paguhet nga shteti. Në Gjykatën e Strasburgut janë dhënë dhjetëra vendime në favor të ish-pronarëve dhe në të gjitha rastet i tërhiqet vëmendja shtetit që ndrysho ligjin, sepse do të dënohesh. Qeveria jonë është aq skandaloze, sa në vend që të ndryshojë ligjin i dërgon shkresa gjykatës, duke i thënë më dëno pak se jam shtet i varfër.
Kryeministri Berisha premtoi gjatë fushatës zgjedhore se ish-pronarët do të kompensoheshin me toka në bregdet. Ka ndodhur dhe a ka shanse që një gjë e tillë të ndodhë realisht, apo ka qenë thjesht një premtim elektoral?
Absolutisht që kjo nuk ka ndodhur. U dha një shifër rreth katër mijë hektar në bregdet. Por lind pyetja ku janë këto toka? As nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, po as nga ndonjë agjenci tjetër, nuk na u tha se ku janë tokat. Kjo u përdor në një moment të caktuar nga ana e Berishës, i cili për qëllime elektorale tha se kemi katër mijë hektarë toka në bregdet dhe do t’ua japim ish-pronarëve. Por këto toka realisht nuk ekzistojnë. Ka qenë një premtim elektoral dhe një mashtrim nga ana e Berishës. Është e vërtetë që mund të ketë këneta, por që të thuash që kam katër mijë hektar tokë në bregdet, në radhë të parë duhet të thuash se ku janë ato. Unë nuk di që shteti shqiptar të jetë pronar i katër mijë hektarë tokash në bregdet, sepse realisht ato nuk ekzistojnë. Ne kemi studimet tona dhe nga grykëderdhja e Semanit deri në kufirin me Greqinë nuk ka asnjë pëllëmbë tokë shtetërore. Ka pasur tokë shtetërore në Golem, por sot në Golem nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë që t’u jepet ish-pronarëve. Sepse gjithë Golemi, Shkëmbi i Kavajës etj, janë grabitur nga vetë ata që udhëheqin këtë shtet.
Cili është komenti juaj për nismën e fundit të kryeministri Berisha në lidhje me pronat në fshatrat turistikë?
Dua të them që në këtë nisëm ka një prapavijë të pastër të interesave të ngushta të politikës dhe atyre që aktualisht politikanëve më të lartë që janë në pushtet. Në Shqipëri është dhënë licenca për ndërtimin e 30 apo 32 fshatrave turistikë, nga të cilët vetëm dy funksionojnë si të tillë, një në Durrës dhe një në Dajt. Të gjithë të tjerët janë transformuar dhe nuk janë më fshatra turistikë, por janë kthyer në vila rezidenciale, ku kanë blerë ata që kryeministri i quajti borgjezia e re, ose njerëzit e pasur. Këto fshatra turistikë kanë shkelur në mënyrë të hapur marrëveshjen që kishin me shtetin për ndërtimin e fshatrave turistikë dhe tashmë janë blerë nga individë të ndryshëm. Dhe këtu futen jo ata që u quajtën nga kryeministri Berisha borgjezët e rinj, por politikanët e niveleve më të larta. Në konceptin e fshatit turistik ekzistojnë tre sipërfaqe, sipas ligjit. Ka sipërfaqet që zë çdo ndërtim, ka sipërfaqet e përbashkëta të fshatit turistik, sipërfaqet e argëtimit, të lodrave, të pishinave etj, ka dhe një sipërfaqe tjetër, që quhet zona e mbrojtur, ku nuk lejohet që të bëhen ndërtime. Tani lind pyetja çfarë do blejnë në këta fshatra? Parcelën ku janë ndërtuar vilat, vetëm 500 metra katrorë, sipërfaqen e gjithë fshatit, që kap 5 deri në 20 hektarë tokë, apo zonën e mbrojtur, që kap deri në 70 hektarë tokë. Në projektin e Berishës, jam i bindur që ata do të blejnë dhe privatizojnë vetëm vilat, çka nënkupton një abuzivizëm shumë të madh, ose një shkelje shumë e rëndë e ligjit, në radhë të parë e ligjit që licencoi këtë fshatra, dhe në radhë të dytë e gjithë ligjeve që ka vendi ynë, sepse zhvlerësojnë sipërfaqe të tërë tokash që u përkasin pronarëve. Kjo në fakt nuk është një nisëm e re e qeverisë, po i ka fillesat e saj që në vitin 2006, ku në një nen që përcaktuar që këtyre njerëzve që kishin blerë këto vila, u jepej e drejta që brenda 6 muajve të blinin tokën. Këta nuk e ushtruan këtë të drejtë. Ligji i vitit 2006 thoshe se nëse ata nuk e blinin tokën, ajo u kthehej pronarëve. Pra këto toka duhej t’u ktheheshin pronarëve të tyre, gjë që ka ndodhur. Por, Berisha urdhëron tashmë një ligj tjetër, që anulon atë të vitit 2006 dhe u jep sërish të drejtën këtyre personave që të blejnë vilat, duke u lënë kohë një vit.
Mendoni që ky ligj është abuziv?
Ligji në fakt nuk është miratuar akoma dhe nuk ka kaluar nëpër komisionet parlamentare. Ne kemi bërë një kërkesë që në komisionet parlamentare të jemi prezentë dhe kemi kërkuar një informacion të saktë, se mbi ç’bazë studimore është formuluar ky ligj dhe çfarë efekti ekonomik ka. Por, dua të them që ne do ta kundërshtojmë fort këtë ligj, pasi ai nuk duhet as të mendohet. Nuk ka përse shteti të krijojë një ligj të veçantë për këtë. Në këtë mes duhet të jenë vetëm pronarët që zotërojnë tokën në fshatrat turistikë dhe ata që duan të blejnë tokë. Hyrja e shtetit në mes tregon që prapa fshihen interesa të forta të pushtetarëve. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës së pronësisë, pasi shteti nuk ka përse të bëhet palë e tretë në këtë proces, kur ai fare mirë mund të zgjidhet edhe pra praninë dhe ndikimin e tij.