Sërish tërmet në Itali, të paktën 4 viktima

Nje ndertese e shkaterruar nga termeti i 20 majit ne Finale Emilia / Foto arkiv
Një tjetër tërmet ka tronditur sot Italinë e veriut, duke shkaktuar të paktën 4 viktima dhe shumë dëme materiale të pallogaritshme. Dy lëkundje të forta tërmeti me epiqendër në Kapri, Medola dhe Mirandola, njëra rreth orës 09:00 dhe tjetra më e lehtë në 10:24 të paradites së sotme kanë shkaktuar 4 viktima, një bilanc që pritet të rritet për shkak se zona është e njëjta që u godit më 20 maj.
Banorët e kanë përshkruar situatën e krijuar si katastrofike, ndërsa menjëherë kanë nisur kritikat për vendimin e autoriteteve për rikthimin në banesa, shkolla e institucione, pas tërmetit të 20 majit.
Lëkundja e parë ka qenë e shkallës 5.8 ballë, në një thellësi prej 10 kilometrash dhe është ndier në të gjithë Italinë e veriut.
Dëme të tjera
Të tjera dëme janë regjistruar në Rocca Estense në zonën e Finale Emilia-s, njëra nga zonat më të goditura 9 ditë më parë. Autoritetet kanë evakuuar plotësisht ndërtesat publike, shkollat dhe spitalet, ndërsa probleme të shumta ka pasur me rrjetet e telefonisë celulare. Gjithashtu, janë paralizuar tërësisht linjat hekurudhore në disa zona.
Ndërsa në Cavezzo, pasojat e tërmetit janë të frikshme sipas banorëve. Në postimet në Tuiter të banorëve të zonës flitet për shkatërrimin e tre të katërtave të qytetit. / G.N.