E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e kandidatit për President

Rreth një javë më parë, Konferenca e Kryetarëve miratoi vendimin për nisjen e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Por, kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga ky votim, klasa politike shqiptare nuk ka ende asnjë kandidat në garë, çka me shumë mundësi ky votim do të dështojë, nëse gjithmonë nuk do të ketë një propozim të minutave të fundit.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët, por edhe vetë klasa politike shqiptare ka shpresuar se kreu i ri i Shtetit duhet të zgjidhet që me raundin e parë, i cili sipas Nenit 87 të Kushtetutës së Shqipërisë, përzgjedhja bëhet me 3/5-t e votave të deputetëve. Për të shkuar gjer këtu, kandidatura duhet të propozohet nga të paktën 20 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe më pas sipas procedurës bëhen verifikimet për kandidatin për t’u paraqitur në seancë për miratim.

“Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve”, thuhet në Nenin 109 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Kushtet kryesore që duhet të përmbush një individë për të ardhur në krye të Shtetit (neni 86 i Kushtetutës), është që të jetë shtetas shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Por, çfarë ndodhë nëse votimi i parë dështon? Sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, “kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë”. Në rast dështimi, bëhet një votim i tretë dhe kështu me radhë deri në një votim të pestë. Në rast se dështon edhe votimi i fundit, atëherë Parlamenti shpërndahet dhe brenda 45 ditëve zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Thirrjet për votimin e parë!

Dy aleatë kryesorë në qeverisje, Sali Berisha dhe Ilir Meta, kërkojnë dhe shpresojnë që Presidenti i ri i vendit të zgjidhet që në raundin e parë, çka do të thotë se ky votim mund të quhet i suksesshëm vetëm nëse merr 3/5-t e deputetëve.

“Në takimin me aleatët spikati në mënyrën më të kristaltë vendosmëria e koalicionit për të respektuar kushtetutën e vendit, e cila parashikon në 3 raundet e para, votimin e presidentit me 3/5 e votave. Ndonëse ka një marrëveshje që autorizon, ose përcakton zgjedhjen e Presidentit, të dyja forcat ranë dakord të punojnë me përkushtim që presidenti të zgjidhet me 3/5 ashtu siç përcakton Kushtetuta e vendit”, tha sot Berisha në mbledhjen e grupit.

Të njëjtin qëndrim pati pak orë më vonë edhe kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili nënvizoi se shpresonte që Presidenti i ri të zgjidhej jo vetëm në raundin e parë, por me më shumë se 84 deputetë në Parlament, çka do të thotë votim unanim.

“Ne besojmë që detyra e të gjithë ne si përfaqësues të forcave parlamentare është që të zgjedhim një President me shumicë më të gjerë se sa mazhoranca qeverisëse sepse për të zgjedhur një President bazuar mbi shumicën qeverisëse është gjëja më e thjeshtë por duhet një proces i cili jep mesazhe të rëndësishme të një pjekurie të klasës politike në vend dhe të një bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës, jo thjesht për të zgjedhur një President dhe për të përzgjedhur një emër, por për të vijuar në këtë proces të rëndësishëm të reformave. Jemi për një zgjedhje të tij mundësisht që në raundin e parë dhe me më shumë se 3/5 e votave. Çështja është se mbas dy ditësh ne duhet të shkojmë të votojmë për një emër konkret. Në këtë drejtim disa gjëra që nuk u bënë për muaj të tërë vështirë të bëhen për 48 orë pavarësisht nga vullneti ynë shumë pozitiv, të paktën i neve që jemi këtu, por edhe i të tjerëve mos t’i paragjykojmë”, tha sot ai.

Meta shtoi se do të propozonte kandidatura për kreun e ri të Shtetit, pasi sipas tij, Shqipërisë nuk i mungojnë. Ndërkohë, edhe kryeministri Sali Berisha ka deklaruar më parë se Partia Demokratike ka kandidatin e saj. Nga ana tjetër, opozita nuk e quan të ngutshme zgjedhjen e Presidentit që në raundin e parë.

“Partia Socialiste siç e dini ka paraqitur një dokument me katër pika të cilat nuk janë vetvete as kusht, as ultimatum dhe as përzierje e procesit. Në rast se bëhet fjalë për një ultimatum ky është ultimatumi që i rri në kokë klasës politike për hir të interesit madhor të aspiratës së shqiptarëve për integrimin në Bashkimin Evropian. E përsëris, nuk jemi para kushteve dhe ultimatumeve. Tryeza e kryetarëve të partive parlamentare mund dhe duhet të japë domosdoshmërish zgjidhje të katër çështjeve në funksion të integrimit evropian të Shqipërisë”, tha deputeti Sajmir Tahiri. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-28 17:19
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›