Berisha: Tryezë e të gjitha partive për presidentin? Do të ishte e pafisshme

Sali Berisha / Foto arkiv
Në prononcimin e tij pas takimit me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryeministri Berisha u shpreh një tryezë e përbashkët e të gjitha partive politike për arritjen e konsensusit për presidentin do të ishte e pafisshme.
E rëndësishme është të ecim drejt procesit. Një gjë duhet parandaluar në këtë mes. Një tryezë e të gjitha partive politike përbën një moment shumë të pafisshëm. Merr dhe hiq emra nuk është e fisshme. Ta shndërrojmë në një proces dinjitoz, tha Berisha.
Berisha e cilësoi të frutshëm takimin me Dulen dhe u shpreh se pavarësisht mundësisë për ta zgjedhur presidentin bashkë me LSI-në, procesi duhet shtrirë në të gjithë spektrin parlamentar.
Me Dulen patëm një takim mendoj të frutshëm. Do vazhdojmë sot gjatë ditës konsultimet me kryetarët e partive të maxhorancës. Ftoj edhe një herë opozitën të angazhohet në këtë proces, në të cilin ne jemi të vendosur. Pavarësisht se marrëveshja e 2009-s përcakton angazhimin e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjen e presidentit, ne jemi të vendosur që këtë angazhim ta shtrijmë në të gjithë spektrin parlamentar. Gjykoj që është edhe interesi i opozitës në investim në mbështetje të një personaliteti që do të zgjidhet dhe në 5 vitet e ardhshme ti qëndrojë besnik Kushtetutës. Votëbesimi nga i gjithë spektri politik do të vetëkuptonte për të një qëndrim madhor, tha Berisha.
Në lidhje me kandidaturën e Nanos, e cila mbështetet nga PBDNJ-ja, Berisha u shpreh se nuk përjashtohet. Dule lobon fuqishëm për Nanon dhe unë nuk jam në dijeni të rezultateve të lobimit të tij, por ne kemi shprehur qëndrimin tonë. Emrat mund të jenë nga tre fusha: politika, drejtësia dhe diplomacia. Ne jemi në kërkim të konsensusit. Të them që mund të arrihet deri nesër, nuk mund ta parashikoj. Por nëse shtyhet votimi, kjo nuk përbën ndonjë problem.
Pyetjes së gazetarëve për një takim të mundshëm me kreun e PS-së, kryeministri iu përgjigj se të gjitha marrëveshjet me të janë arritur pa u takuar personalisht. / G. N.