E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish zyrtarë të PS-së deformojnë rolin e shoqërisë civile

Zyrtarë të PS-së dolën sërish dje në konferenca shtypi me pamjen e shoqërisë civile, duke fshehur përkatësinë e tyre politike dhe duke deklaruar në emër të organizatave joqeveritare. Bledi Çuçi, përfaqësues i Shoqatës për Autonomi Vendore është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Në një dalje të tij për mediat ai akuzoi qeverinë për presion dhe mungesë financimesh ndaj qeverisjes vendore, duke u vendosur në një pozicion të pandershëm përballë publikut, por edhe organizatës që përfaqëson. Çuçi duhej të paktën të kishte deklaruar se është një nga anëtarët e rëndësishëm të PS-së dhe të përpiqej të ndante pozicionin e tij nga fjalimet e Ramës kundër qeverisë, pasi duken të njëjta. Kjo nuk është hera e parë që drejtues e anëtarë forumesh të PS-së ndërtojnë raporte e deklarohen si përfaqësues të shoqërisë civile, ndërkohë që shprehin opinionet e Partisë Socialiste. Të njëjtën gjë kanë bërë zyrtarët e kësaj partie si Bushati me organizatat për integrimin, Veliaj si drejtues i Mjaft edhe pse drejton një parti aleate me PS-në, apo krerë të tjerë organizatash joqeveritare, të cilët duhet të lirojnë njërin vend, ose atë të të pavarurit, ose atë të partiakut. Më e pakta duhet të deklarohen në pozicionin e tyre politik për të kuptuar më mire dhe më drejt deklaratat apo raportet që ata bëjnë. Megjithatë, vlen për tu përmendur zemërgjerësia e institucioneve publike të vendit, të cilat, edhe pse e njohin statusin e tyre të dyfishtë, që mund të deformojë rolin e shoqërisë civile, firmosin për ta projekte mijëra e mijëra eurosh duke ndërruar pa dashje edhe destinacionin e parave të donatorëve që duan të ushqejnë një mendim, ekspertizë të paanshme dhe pa frymëzime politike qoftë pro apo kundër qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›