E Shtunë, 31 Tetor 2026

Server: Ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë

PRISHTINË-Ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë, konkludon analisti amerikan Daniel Server lidhur me zhvillimet në veri.
"Plani i Ahtisarit e ofron një status special. Ende nuk kam dëgjuar nga autoritetet e Beogradit, apo të serbëve në veri të Kosovës, se çka do të donin ata në të vërtetë. Ata mbeten të përqendruar në ndarjen e Kosovës, gjë që nuk do të ndodhë", deklaron Server në një intervistë sot në shtypin e Prishtinës.
I pyetur se si e sheh “kosovarizimin” e veriut, Server përgjigjet se “duhet të arrihet marrëveshja me Beogradin, se riintegrimi me pjesën tjetër të Kosovës do të ndodhë, sikur që duhet të përpilohet edhe një plan i përbashkët për ta mundësuar realizimin e kësaj”.
Server, sipas intervistës në gazetën “Kosova sot”, është shprehur se “Kosova duhet ta marrë një plan të heqjes së vizave, nëpërmjet të cilit sa më parë të arrihet liberalizimi i vizave, me kusht që institucionet e saj t’i përmbushin kërkesat”.
"Çdo gjë tjetër do ta dekurajonte ndjenjën proevropiane në Kosovë dhe do ta inkurajonte panshqiptarizmin, gjë që unë nuk do të preferoja ta shihja”, ka shtuar ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›