E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, 2 vëllezërit hajdutë vranë babain e 2 fëmijëve

BERAT -I vodhën shtëpinë dhe më pas ia çanë kafkën me sëpatë. Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e së premtes në fshatin Malinat të komunës së Velabishtit në rrethin e Beratit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bëjnë me dije se mëngjesin e djeshëm, në afërsi të lokalit të fshatit u gjet trupi i pajetë i Ilir Muçit, baba i dy fëmijëve. Pas disa orë hetimesh intensive, blutë vunë në pranga vëllezërit Sadik dhe Gjergj Muçi, përkatësisht 35 dhe 32 vjeç. Sipas hetuesve të çështjes, dy autorët e krimit e masakruan 36-vjeçarin teksa ishte në gjendje të dehur. Ata akuzohen për "vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim".
Burime konfidenciale nga policia lokale dhe banorët e zonës pohojnë se të enjten, Sadik dhe Gjergj Muçi kanë hyrë në banesën e bashkëfshatarit të tyre dhe kanë vjedhur televizor, manjetofon si dhe rroba. Mësohet se dy vëllezërit kanë bastisur shtëpinë e viktimës në momentin kur ky i fundit nuk ndodhej aty (ishte duke pirë në lokalin e fshatit, ndërsa bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij janë në emigracion në Greqi). Ilir Muçi ka dyshuar tek dy bashkëfshatarët e tij, të cilët njiheshin në fshat si hajdutë dhe ka vendosur që të hetojë privatisht. Mëngjesin e së premtes, 36-vjeçari ka shkuar në banesën e dy vëllezërve dhe gjatë kontrollit të ushtruar ka gjetur pajisjet shtëpiake që ata i kishin vjedhur. I revoltuar, babai i dy fëmijëve i ka rrahur vëllezërit Muçi, ndërsa këta dy të fundit kanë vendosur të marrin hak. Ata kanë studiuar lëvizjet e viktimës dhe kanë pritur momentin e duhur për ta hequr qafe.

Rreth orës 06:00 të ditës së djeshme, banorë të fshatit Malinat kanë gjetur të vdekur në mes të një pellgu gjaku Ilir Muçin. Të tronditur, ata kanë sinjalizuar policinë, e cila menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Burimet e mësipërme sqarojnë se 36-vjeçari kishte pësuar goditje të forta në kokë dhe se nga goditjet i ishte çarë kafka. Pas kryerjes së hetimeve paraprake dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ndërmori operacionin e koduar "Malinati". Ky operacion u finalizua rreth orës 11:00 me arrestimin e dy autorëve të krimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti mprehës, sëpatë dhe rrobat me njolla gjaku, që vrasësit mbanin veshur në kohën kur kryen krimin.
Sadik Muçi dhe vëllai i tij Gjergj Muçi, u dërguan në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Beratit. Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e këtij rrethi të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›