E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksionistët revolucionarë trockistë të PS-së

Gjithkund në botë bëhen fushata elektorale. Pakkund në botë ato konceptohen si shans i aksioneve permanente revolucionare. Shqipëria, ashtu si në kohën e diktatorit, mbetet një përjashtim i këtij lloji. Në Shqipëri, më shumë se kudo në vendet e rajonit, fushatat elektorale përjetohen, projektohen e realizohen përmes një skeme që i ngjan teorisë trockiste të "Revolucionit permanent", d.m.th. të një revolucioni të pandërprerë, të vazhdueshëm, që pjell diçka "sensacionale" dhe terrorizon njerëzit çdo ditë, çdo orë e çdo minutë, diçka revolucionare, diçka që kërkon vetëm përmbysje, dhe që mohon evolucionin, zhvillimin e natyrshëm, me të cilin bota e civilizuar ka arritur majat e suksesit. Kurrë Zvicra nuk ka përjetuar ndonjë revolucion, e megjithatë është Zvicër.
Fushata zgjedhore e tashme i ngjan kësaj skeme fatkeqe të shqiptarëve, të cilën ata e kanë përjetuar gjatë 54 viteve (1944-1990 dhe 1997-2005) si një tragjedi të fatit të tyre. Duke ditur pikërisht këtë fakt, autorët e "revolucionit" permanent në fushatë elektorale në Shqipëri, socialistët dhe koalicioni i majtë, kanë marrë përsipër që ta sofistikojnë këtë revolucion, ta paraqesin si "një të drejtë" të ligjshme, madje e kanë maskuar me "Nevojën për ndryshim".
Ndërkohë që gjithkush e ve re se revolucioni i sotëm permanent zgjedhor shqiptar ka pamjen e vitit 1996-1997. Kjo taktikë kishte dhënë rezultatin e duhur para 12-13 vjetësh. Ndërsa tani, në kushte të reja të zhvillimeve shqiptare, rajonale e europiane, aksioni mediatik është tejskajshëm provokues, sipas skemës mao-staliniste: Provoko vazhdimisht që ta dobësosh dhe ta mundësh "armikun". Provokimi i parë kishte ndodhur para gati një viti në parlamentin shqiptar, atëherë kur një deputet socialist kishte hedhur akuzën për vajzën e kryeministrit. Provokatorët i dinin lidhjet dhe dhimbjet që shkaktonin te ai akuzat dhe shpifjet për familjen e tij, për fëmijët e tij. Nga provokimi që bënë korrën dhe rezultatin që dëshiruan. E njëjta skemë funksionon tani. Revolucionarët permanentë të socializmit shqiptar provokojnë në asht, për të shkaktuar efekte çorientuese dhe vetasgjësuese për kryeministrin. Ndaj u duhet ajo që në doktrinën e tyre quhet aksion permanent, d.m.th. i përditshëm. Mjeshtër i skemave të tilla është vetë kreu i socialistëve, me përvojë të gjatë të transmetuar nga i ati, daja e të tjerë. Ndërkaq ai mban në krah si hije të zezë në parti e në shoqërinë shqiptare arkitektin e pamëshirshëm të denigrimit, krimit dhe falsifikimit të këtyre 30 viteve të fundit, Gramoz Ruçin. Ndërsa bijtë e arkitektëve të metodave aksioniste revolucionare të katapultuar në krye të PS-së, të gjithë i ka grumbulluar në zyrën e tij për ta risjellë atë përvojë në luftën e shenjtë kundër Sali Berishës. Kësaj ushtrie fanatikësh i shtohet fuqia financiare e kreut të Bashkisë së Tiranës si dhe bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë. Me aksionizmin permanent antiberishë Rama dhe media e tij përpiqen që shqiptarëve t'u japin modelin rozë, t'u injektojnë romantizmin e para dy shekujve në vend të realizmit, që i verbon. Ndonjë një reagim ekstrem i kryeministrit, me të cilin ai llogarit, ia shton pikët.
Ndërkaq aksionimit mao-envero-stalinist të Ramës i është ngjitur kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka vënë në dispozicion të kreut socialist dhjetëra mijë faqe shpifjesh, insinuatash, falsifikimesh, me qëllim që "ta rrëzojnë Berishën nga kali". Deri tani këto dokumente që prokurorja ka servir kanë formën e presionit politik - permanent, por jo dhe përmbajtjen e tillë. Ajo ka sajuar e pjellë telefonata pa përmbajtje, faxe të falsifikuar, numra takimesh të Shkëlzenit, m-Maile të Argitës, ekspertiza mjekësore të baxhanakut me njoftimin hyrës të falsifikuar e plot të tjera si këto.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›