E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serverat e institucioneve shtetërore që secin me hapin e kohës

Nga Altin Ketro

U bënë disa vite që marrëdhëniet e biznesit me disa nga institucionet e shtetit zhvillohen nëpërmjet shërbimit elektronik. Përpos shumë të mirave që vijnë nga mos kontakti i drejtpërdrejtë i individit me nëpunësit që në shumë raste krijonte edhe marrëdhënie korruptive, ka ulur edhe shpenzimin e kohës që duhet të harxhoje për të shkuar e për të dorëzuar një dokument të caktuar. Deri këtu gjithçka në rregull. Por vihet re se po këto institucione nuk po ecin me hapin e kohës. Që do të thotë se teknologjia avancon, kurse serverat e tyre kanë mbetur në vendnumëro.

Rasti që dua të trajtoj ka të bëjë me marrëdhëniet e biznesit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe specifikisht me deklarimet elektronike online. Ata që merren me biznes apo i lidh puna me to, e kuptojnë shumë mirë problemin që dua të ngre. Çdo muaj biznesi, kryesisht ai i Madh dhe VIP, deklaron një sërë formularësh tip të cilët i plotëson sipas nivelit të ecurisë që ka patur. Të tilla janë deklarata e TVSH-së, e Sigurimeve, dhe e TAP-it. Përpos këtyre janë edhe deklarimi i librave të Shitjes dhe të Blerjes (në formatin excel) si dhe listëpagesat. Përveç librave, gjithë formularët e tjerë biznesi mund ti ngarkojë e dërgojë me çdo lloj brouseri: Explorer (i vjetër), Mozilla, Chrome etj. Kur vjen puna tek dërgimi i librave, duhet përdorur vetëm Internet Explorer. Dhe pikërisht Explorer-i në versionet 6 dhe 7. Kjo, pasi versionet e fundit, 8 dhe 9, nuk janë të përshtatshëm për serverat e D.P.Tatimeve.

Problemi lind se Explorer 6 dhe 7 është funksional vetëm në paketën Windows XP, kurse paketa Windows 7 nuk i pranon këto versione explorer-i pasi i konsideron të vjetra për sistemin e saj operativ.

Po çndodh?! Të gjitha ata që kanë blerë PC apo laptop dhe kanë të instaluar paketën Windows 7 (me liçensë apo të piratuar), kur u duhet që ta përdorin kompjuterin për nevoja pune të cilat lidhen me ngarkimin (uploading) e dokumentacionit për Drejtorinë e Tatimeve, u duhet që të heqin dorë prej kësaj pakete dhe ta riformatojnë kompjuterin me paketën XP që ta bëjnë funksionale e ti shërbejë për punën e tyre.

Secili është i lirë të zgjedhë versionin e tij të sistemit operativ; ka që janë të fiksuar te XP, ka të tjerë që duan programet më të fundit, pra Windows 7. Por, nuk është aspak e drejtë që për hir të një kleçke që lind nga neglizhenca, paaftësia … e institucioneve, biznesi apo individi të heqin dorë prej një programi të caktuar vetëm e vetëm sepse serverat e D.P.Tatimeve nuk ecin edhe ato me hapin e kohës.

Por nuk janë vetëm ata që kanë marrëdhënie me tatimet që hasin këtë problem. Janë edhe bizneset që aplikojnë te Agjencia e Prokurimit Publik, të cilët u duhet të ngarkojnë dokumentacionin për tenderat publikë, që janë të detyruar të punojnë vetëm me sistemin Windows XP, që të kenë të aksesueshëm brouserin Internet Explorer versionet 6 dhe 7, përndryshe dosjet nuk ngarkohen kurse të mëparshmet dalin të padukshme.

Duke u nisur nga ky handikap, do i kërkoja drejtueseve të këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme, që të nxisin inxhinierët e tyre elektronikë që ti përshtasin serverat për të pranuar ngarkim dokumentesh: Excel, Word, PDF, edhe nga versionet Explorer 8 apo 9. Kjo do i vinte në ndihmë veçanërisht atyre që u duhet të heqin dorë përdhunshëm nga paketa Windows 7, paketë të cilën e kanë të blerë sipas rregullave të mbrojtjes së të drejtës së autorit. Një thirrje kjo që shpresoj të mos bjerë në vesh të shurdhër apo të kalojë në kalendat greke…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›