E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serwer: Rezoluta 1244 e tejkaluar

PRISHTINE- Daniel Serwer, nga Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara me seli në Washington vlerësoi se Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet. Ai tha procesi politik, i paraparë me këtë Rezolutë për vendosjen e statusit final, ka ndodhur.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Serwer ka thënë se Beogradi është në mohim të asaj se çka ka ndodhur.

“Ajo që ka ndodhur është se pozicioni i Beogradit ishte i bazuar në joligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë. Gjykata këshilloi se asgjë nuk ishte e paligjshme. Kjo me të vërtetë i shkatërroi bazat e pozicionit të Serbisë, por kjo nuk do të thotë se Serbia duhet menjëherë ta njohë Kosovën. Kjo do të thotë se pozicioni i Serbisë, i bazuar në joligjshmërinë ishte i gabuar”, shprehet Serwer.

Duke folur lidhur me propozim-rezolutën e re të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai tha se nuk e ka studiuar por sipas tij, secila rezolutë, për të arritur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së duhet të kalojë nëpër proces të negociatave.

“Mendoj se pjesa tjetër e botës me të vërtetë e ka humbur shumë durimin me refuzimin e Serbisë, për gjërat që i dinë shumë mirë, por nuk mund t’i pranojnë për qëllimet e brendshme politike. Nuk e di se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara, por mendoj se amerikanët duhet të jenë të pakënaqur me dështimin e Beogradit që ta shfrytëzojë avantazhin e mundësisë, që e ofron opinioni këshillëdhënës i GJND-së, për ta rivlerësuar pozicionin e tyre”, thekson Serwer.

Duke folur për kërkesën e ministrit të Jashtëm të Kosovës për ndryshim të Rezolutës 1244, e që disa analistë thonë se ky ishte gabim, Serwer tha Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet.

Ai tha se është i sigurt që Këshilli i Sigurimit do të dëshirojë ta ndryshojë 1244-shin, ose të miratojë rezolutë të re. “Megjithatë, mendoj se ende nuk ka ardhur koha, por e kuptoj shumë mirë se përse shteti sovran nuk do të jetë plotësisht i kënaqur me Rezolutën 1244. Mendoj se Kosova është shtet sovran”.

Ndërsa, në pyetjen se a është Kosova e gatshme për pavarësi pa mbikëqyrje ai tha “pyetja nuk është se sa është e aftë, por çka është në interesin më të mirë për Kosovën dhe kosovarët. Më duket se, për momentin, është me rëndësi që riintegrimi, e veçanërisht ai i veriut, të ndodhë para se mbikëqyrja ndërkombëtare të largohet plotësisht”.
(m.a/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›