E Diel, 1 Nëntor 2026

Serxhio Aguero i gatshem te kaloje tek Juventusi

Argjentina ka nisur përgatitjet për ndeshjen e dytë të saj në Kupën e Amerikës ndaj Kolumbisë. Vendi mikëpritës i kësaj veprimtarie dështoi në sfidën e parë, teksa nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Bolivisë. Lionel Mesi konsiderohet si “ylli“ i kësaj veprimtarie, por kohët e fundit ka nisur të flitet edhe për brazilianin Nejmar. Krahasimet mes dy talenteve janë bërë pjesë e Kupës së Amerikës, por Serxhio Aguero mendon se Mesi është një shkallë mbi Nejmarin, i cili ende nuk ka luajtur me një klub europian.

“Përsa i përket krahasimit mes Nejmarit dhe Mesit unë mendoj se është e pamundur t'i krahasosh këta dy lojtarë. Unë shpersoj që Mesi të fitojë për herë të tretë radhazi “Topin e artë“, ndërsa Nejmar nuk ka asnjë trofe të tillë. Nejmar luan në Brazil dhe duhet ta shohim se çfarë mund të bëj në Europë. Ai është një sulmues shumë i aftë, por as që mund të krahasohet me Leon.“

Nejmar është vënë në qendër të vëmendjes të disa klubeve europiane, ashtu si Aguero. Sulmuesi argjentina ka vendosur të largohet nga Atletiko e Madridit dhe Juventusi është më pranë tij.

“Që kur u largova nga Spanja, të gjithë flasin për ofertën e Juventusit. Unë do të isha dakord, nëse Atletiko është dakord. Juvja duhet të paguajë 30 apo 40 milionë euro, por kjo çështje nuk më përket mua, sepse i takon menaxherit të merret me këtë punë. Të bisedojë me dy skuadrat për gjetjen e gjuhës së përbashkët. Aktualisht unë jam i përqëndruar te Kupa e Amerikës dhe dua të fitoj me Argjentinën. Nuk mendoj për asgjë tjetër.“

Aguero shënoi golin e vetëm për Argjentinën në barazimin ndaj Bolivisë, ndërsa Kolumbia dhe Kosta Rika janë kundërshtarët e tjerë për të besuarit e Serxhio Batistës, të cilët nuk fitojnë një trofe që nga viti 1993.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›