Bankieri vret veten, pas largimit nga puna
Musa Haka, me prefesion ekonomist, u hodh nga ballkoni i shtëpisë së vëllait të tij. Prej kohësh ishte në gjendje depresive
TIRANE- Bankieri vret veten në shtëpinë e vëllait, pas largimit nga puna. Musa Haka, 40 vjeç, banues në kryeqytet, vrau veten dje paradite rreth orës 11:30, në rrugën "Don Bosko", në bllokun e pallateve "Al- Mak", në kryeqytet.
Vetëvrasja ndodhi pak momente pasi Haka, 40- vjeçar, banues në kryeqytet, kishte mbërritur në shtëpinë e vëllait të tij, ky i fundit oficer ushtrie që jetonte me të ëmën, Zade Hakën.
Sapo e ëma ka nisur t'i bëjë atij një çaj pasi po ankohej për dhimbje koke, Musai, doli në ballkonin e shtëpisë së të vëllait ku kishte një hapësirë në krahun jugor të tij duke kapërcyer që aty, duke rënë në një sipërfaqe dyshemeje ngjitur me pallatin.
Sipas burimeve të policisë, në kohën kur e ëma sapo kishte përfunduar çajin dhe donte t'ia shërbente ka vënë re se i biri nuk ndodhej aty ku e kishte lënë. Sipas burimeve të policisë, kjo ka bërë që gruaja e moshuar të mendonte se i biri ishte larguar nga shtëpia por jo se kishte kryer një veprim, që për të do të ishte tragjik.
Personat e parë që kanë hyrë në banesën e vëllait të Musait, e kanë gjetur nënën e tij duke qarë, për të birin që ishte larguar nga shtëpia, por jo se ai kishte kryer vetëvrasje.
Viktima në profesion ekonomist financier, sapo kishte mbërritur në banesën e të vëllait, që ndodhej në katin e shtatë të pallatit, në drejtimin lindor.
I vetëvrari deri një javë më parë kishte punuar si financier në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet, nga e cila ishte larguar disa javë më parë. Ky largim mendohet se mund të ketë sjellë prej kohësh gjendjen e tij të rëndë depresive dhe gjendje jo të mirë psikologjike tek ai.
Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia ka vënë re se 40 vjeçari kishte pësuar dëmtime të ndryshme në trup që i kishin shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Nga hetimet e tjera të kryera nga policia është mësuar se Haka, i martuar, me një vajzë 16- vjeçare, prej kohësh kishte shfaqur probleme psikologjike që pas largimit të tij nga puna, nga një bankë e nivelit të dytë ku ai kishte punuar një periudhë të konsiderueshme kohore.