Eurot false vinin nga Bullgaria

Shkon në 13 numri i personave të arrestuar pas operacionit "Graniti", ndërsa shuma e parave false kap shifrën e 73 mijë eurove
Hetimi disa mujor zbuloi rrjetin e trafikimit të kartmonedhave false, pas denoncimit të një personi që këmbeu para false në spital
TIRANË- Kartmonedhat e eurove të falsifikuara, të bllokuara dy ditë më parë nga Njësia Operacionale e Antikrimi Ekonomik bashke me Prokurorinë e Tiranës vinte nga Bullgaria ndërsa si rrugë tranziti ishte përdorur Maqedonia.
Nga hetimet paraprake dyshohet se baza e falsifikimit të tyre është në Bullgari, nga ku paratë kanë mundur të kalojnë në Maqedoni dhe më pas për t'u hedhur në tregun shqiptar të këmbimit valutor.
Sipas policisë shuma prej 73 mijë eurosh që dyshohet se janë të falsifikuara, do hidheshin në treg përpara nisjes së sezonit turistik, por burimet e policisë pohuan se hedhja në treg pritej të bëhej menjëherë.
Një ditë pas mbylljes së operacionit, policia publikoi të dhënat e operacionit, ndërsa kreu i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, dhe prokurori i çështjes Gentian Osmani. Ndërkohë më parë, oficeri i Kontaktit të Shqipërisë, për Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë kishte marrë pjesë në koordinimin e operacionit me policinë e këtyre vendeve.
Sipas Vocajt, 13 personat e arrestuar janë: Avni Hajrullahu, 36 vjeç, nga Kosova, Kemal Rexhepi, 32 vjeç dhe Xheladin Demiri, 28 vjeç, të dy nga Maqedonia, por me banim në Tiranë, Fatmir Rakipi, 38 vjeç, Gjergj Gjinaj, 43 vjeç, Ramazan Shatri, 44 vjeç, Idajet Gatali, 41 vjeç, Kurtali Bilbili, 56 vjeç, Gëzim Kovaç, 53 vjeç, Nuredin Bishami, 48 vjeç, Petrit Marku, 38 vjeç, Nebi Popa, 40 vjeç, Lulëzim Rakipi, 39 vjeç, të gjithë banues në kryeqytet.
Në reagimin zyrtar të Policisë së Tiranës për këtë operacion thuhet se grupi falsifikator drejtohej nga Avni Hajrullahu dhe Kemal Rexhepi, ndërkohë gjithë veprimtaria e grupit është mbajtur nën vëzhgim për rreth tre muaj, derisa agjentët e Antikrimit ekonomik kanë zbuluar mbërritjen e eurove të falsifikuara, në një nga lokalet e vendosura në Stadiumin "Qemal Stafa".
Veç përgjimeve telefonike, prokuroria ka urdhëruar blerje të simuluara eurosh, derisa është vërtetuar veprimtaria e grupit prej 13 personash që po përgatiste të shpërndante në të gjithë territorin shumën e eurove të falsifikuara.
Policia ka rënë në gjurmët e grupit që hidhte në treg eurot e falsifikuara pas denoncimit të një personi nga Kukësi me 20 mars të këtij viti, që kishte këmbyer lekë me euro, ndërsa kishte gruan në spital. Pas shkëmbimit, i dëmtuari pa se eurot ishin të falsifikuara dhe menjëherë ka bërë denoncim në organet e policisë, por paratë "avulluan".
Nga kartmonedhat e bllokuara, sasia prej 35 mijë eurosh ka një cilësi të lartë që dallohet vetëm me aparate të specializuara, ndërkohë që pjesa tjetër ka pasur një cilësi të dobët falsifikimi. Eurot kanë pasur vetëm katër numra serie dhe disa kartmonedha kanë pasur numër të njëjtë serie. Personat u arrestuan nga Njësia Operacionale e cila prej kohësh mbante në vëzhgim të dyshuarit, deri në momentin e finalizimit të aksionit.
Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit pohuan dje se hetimet do të vazhdojnë, pasi dyshohet se ka persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me të arrestuarit që hidhnin në qarkullim euro të falsifikuara.
Shifrat
73 mijë euro false të sekuestruara,
37 aparate telefoni celularë të bllokuara
3 armë zjarri dhe gjahu të bllokuara
13 persona të arrestuar nga policia
Të arrestuarit
Nga Tirana:
Fatmir Rakipi 38 vjeç
Gjergj Gjinaj 43 vjeç
Ramazan Shatri 44 vjeç
Idajet Gatali 41 vjeç
Kurtali Bilbili 56 vjeç
Gëzim Kovaçi 53 vjeç
Nuredin Bishami 48 vjeç
Petrit Marku 38 vjeç
Nebi Popa 40 vjeç
Lulëzim Rakipi 39 vjeç
Avni Hajrullahu, 36 vjeç, nga Kosova
Kemal Rexhepi, 32 vjeç, nga Maqedonia
Xheladin Demiri, 28 vjeç, nga Maqedonia