Sevilla-Real Madrid nën fokusin e Papu Gomez

Sevilja – Real Madrid, që të dielën në ora 21:00 do të zhvillohet në stadiumin “Ramon Sançez”, është kryendeshja e javës së 32-të në La Liga. Edhe pse me një diferencë 12 pikësh, Real Madrid 72 dhe Sevilja 60, sërisht ndjekësit më të afërt të “Los Blankos” shpresojnë të rihapin kampionatin. Alehandro Papu Gomez i ka idetë e qarta për finalen e sezonit dhe për të ardhmen e tij. Fusha dhe dëshirat janë të përcaktuara mirë në fjalët e tij të dhëna për “Marka TV” në prag të kryendeshjes mes Seviljes dhe Real Madrid në këtë fundjavë. Rihapja e garës së kampionatit dhe kthimi në formën maksimale për të luajtur kampionatin e tij të parë dhe të fundit Botëror me Argjentinën e tij. I kthyer pas dëmtimit me shumë gola të shënuar, Papu Gomez ka shpjeguar emocionet e tij pas një mungese të gjatë.
“Kur kam hyrë në fushën e lojës me Granadën isha i emocionuar. Kanë qenë ditë të vështira. Mbi të gjitha sepse nuk isha mësuar të më bënin keq dhe si zakonisht nuk reagoj mirë ndaj këtyre gjërave që më bezdisin. E vërtetë që ka qenë një dëmtim muskulor dhe që nuk më ka rënduar shumë, por kur ke përpara një dyshe apo treshe aktivitetesh e mungon prej një muaji humbet shumë ndeshje. Kur jam dëmtuar isha në një moment të jashtëzakonshëm dhe ishin duke mbërritur ndeshje të rëndësishme në kampionat dhe Europa Ligë. Jam mërzitur shumë që nuk mund të isha i gatshëm për ato ndeshje”.
Tani supersfida me Real Madrid. “Mes dy skuadrave ka një rivalitet të madh. Të luash në shtëpi këto lloj ndeshjesh do të thotë se motivohesh shumë. Do të kërkojmë t’i japim gëzim njerëzve tanë dhe të mundohemi ta rihapim në një farë mënyre La Ligën, që në fakt është pak e vështirë. Do të provojmë të fitojmë për të mbetur në garën për titull”. Të bëjë mirë me Seviljen për të fituar një vend në Botërorin e Katarit me Argjentinën.
“Nuk e di se çfarë do të duhet të jap për të qenë në Katar, por dëshira është e madhe. Mendoj se do të duhet të jetë i pari dhe i fundit Botëror për mua për shkak të moshës, aq më tepër që pas katër vitesh ndoshta nuk do të jem shumë mirë. Do të jetë diçka e pabesueshme për mua. Dhe do të tregoja që nuk duhet asnjëherë të dorëzohesh, sepse gjithçka është e mundur”.
Duke mbetur tek Botërori, Gomez ka folur dhe për Mesin: “Botërori i fundit i Mesit? Shpresoj që jo, shpresoj të luajë derisa të mbarojë së argëtuari. Dhe me shpresë të Zotit të bëjë një Botëror të madh sikurse është dëshira e tij me fanellën argjentinase dhe që mund të vazhdojë t’i japi gëzim të gjithë argjentinasve. Por le ta lëmë të bëjë çfarë të dojë, çfarë t’i pëlqejë dhe të marrë atë që e bën më shumë të lumtur”.