E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina në kërkim të fitores së dytë

Pas triumfit ndaj Trepçës, Prishtina do ta kërkojë fitoren e dytë të sezonit në përballjen me Vëllaznimin të hënën, në ndeshjen e fundit të xhiros së dytë të Superligës. Në anën tjetër, gjakovarët e dobësuar shkojnë në kryeqytet të dorëzuar, pasi nuk presin ndonjë rezultat pozitiv.

Prishtina do ta kërkojë fitoren e dytë të sezonit në përballjen që do ta ketë të hënën me Vëllaznimin, në ndeshjen e fundit të xhiros së dytë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Bardhekaltrit e nisën sezonin me fitore të vështirë ndaj Trepçës, duke bërë rikthim në rezultat. Prandaj, ata synojnë që ta vazhdojnë këtë ritëm dhe t’i lënë duarthatë edhe gjakovarët e dobësuar këtë verë, edhe pse do të përballen me disa mungesa për shkak të kartonëve si Driton Krasniqi, Labinot Ibrahimi, Liridon Kukaj e Mentor Mazrekaj.

“Çdo lojë që zhvillohet me drejtësi të vërtetë, jam i bindur që do ta fitojmë. Përkundër faktit që 4-5 futbollistë nuk kanë të drejtë loje, ne kemi fond të mjaftueshëm dhe me lojë kualitative besojmë në fitore. Fitorja e thellë e Trepçës ndaj Besës na jep moral, pasi ne i mposhtëm mitrovicasit në lojën e parë”, theksoi trajneri i Prishtinës, Ejup Mehmeti – Kapiti. “Sa i përket Vëllaznimit, kam marrë informata rreth këtij ekipi. E di se kanë filluar vonë përgatitjet dhe ne jemi më mirë kondicionalisht. Kjo është arma jonë më e fortë”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër, gjakovarët e nisën sezonin me barazim në shtëpi në duel me Kosovën e Vushtrrisë. Skuadra kuq e zi nuk bindi me lojë e as me rezultat, prandaj atë e pret një punë mjaft e vështirë edhe në kryeqytet sot. Siç dihet nga skuadra gjakovare janë larguar disa futbollistë dhe e ka nisur sezonin mjaft e dobësuar.

“Realisht, Prishtina është favorit. Jo pse luan në shtëpi, por e ka ekipin më të mirë se ne. Në krahasim me vitin e kaluar jemi më të dobësuar sa i përket kualitetit të lojtarëve. Do t’ua japim rastin futbollistëve të rinj. Do të ishte ndonjë befasi e madhe nëse do të mund ta shkëpusnim ndonjë pikë në Prishtinë”, u shpreh trajneri i kuqezinjve, Skënder Shëngyli. Për shkak të kartonëve, Vëllaznimit do t’i mungojë njëri prej futbollistëve kryesorë këtë sezon, Robert Gjeraj. Kjo ndeshje zhvillohet të hënën duke filluar në ora 17:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›