E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezon i vështirë, por i suksesshëm

Fernando Torres u qetësua pasi i fitoi tre trofe: dy me Chelsean dhe një me përfaqësuesen e Spanjës, në njërin prej sezoneve më të komplikuar për të. Sulmuesi spanjoll e nisi sezonin në mënyrë katastrofale, por në fund u tregua vendimtar. Ai beson se sezoni i ardhshëm do të jetë po ashtu i pasur me suksese për të.

Fernando Torres i kushtoi Chelseat 50 milionë funte, kur e bleu në janar të vitit 2010 nga Liverpooli. Sulmuesi spanjoll dështoi ta gjente golin në fillim të sezonit të kaluar. Atij iu nevojitën 25 orë e 40 minuta, para se të shënonte përfundimisht kundër Leicesterit në FA Cup më 19 mars.

Ish futbollisti i Atletico Madridit kishte marrë kritika konstante, ndërsa flitej se mund të lirohej nga pronari i klubit, Roman Abramovich. Për fat të mirë të tij, Blues e fituan trofeun FA Cup dhe më pas edhe Ligën e Kampionëve. Ai më pas arriti sukses edhe me përfaqësuesen spanjolle, duke e fituar ‘Euro 2012’ dhe duke realizuar gol dhe asistim në finale ndaj Italisë.

Tri golat e tij për ‘La Furia Roja’ ia mundësuan atij që ta fitojë ‘Këpucën e Artë’, përkundër faktit se kishte luajtur vetëm 189 minuta në turne nën drejtimin e selektorit Vicente del Bosque. Goli i shënuar në finale e bëri atë futbollistin e parë që shënon në dy finale të Evropianit. Përkundër këtij fakti, ‘El Nino’ sezonin e fundit e konsideron me dy fytyra.

“Ishte një sezon i komplikuar për mua. Kjo nuk do të thotë që ishte i keq, por ishte i komplikuar me momente mjaft të vështira për mua. Por, ta shoh familjen time të lumtur pas finales mund të konsiderosh se çka do që ka ndodhur gjatë sezonit është për t’u harruar”, tha Torres për tabloidin britanik ‘The Guardian’.

Ish futbollisti i Liverpoolit shpreson që të shfaqë formë të mirë sezonin e ardhshëm dhe është i vendosur të fokusohet vetëm në gjërat pozitive, duke i harruar gjërat e këqija që i ndodhën në sezonin 2011/12.

“Do t’i lë kujtimet negative prapa dhe do t’i kujtoj vetëm tre titujt me këtë finale ndaj Italisë, që ishte më e bukura. Ishte gëzim i ekipit, i tërë vendit dhe i të gjithë atyre që e përkrahën Spanjën. Pas një viti të vështirë, që kam vuajtur shumë, kjo më bën të mendoj që ia ka vlejtur”, nënvizoi spanjolli.

Ai është i bindur se edhe tifozët e Chelseat janë të lumtur për arritjet e tij. Ai dëshiron të jetë i gatshëm për sezonin tjetër, ku mendon se do të ketë të tjera momente madhështore.

Torres shënoi 6 gola në Premierligë me klubin londinez gjatë sezonit të kaluar, ndërsa sezonin e ardhshëm pritet të jetë sulmuesi kryesor pas largimit të Didier Drogbas, që iu bashkua ekipit Shanghai Shenua.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›