Takim i bereqetshëm

Siç është paralajmëruar, të mërkurën në Zurich të Zvicrës presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka pritur në një takim zyrtar një delegacion të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të prirë nga kryetari Fadil Vokrri.
Temë diskutimi i këtij takimi mes delegacionit të FIFA-s dhe atij kosovar ishte vendimi i fundit i shtëpisë së futbollit botëror, që e lejoi FFK-në të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.
Por, palët kanë diskutuar në përgjithësi për situatën aktuale në të cilën gjendet futbolli kosovar dhe aspiratat e tij për t’u anëtarësuar në FIFA e UEFA.
Në fakt, pas këtij takim ishte e pamundur të kontaktohet ndonjëri anëtar i delegacionit kosovar, por Express ka mësuar se Vokrri me bashkëpunëtorë janë ndarë shumë të kënaqur nga ky takim.
Kjo pasi Blatter nuk i ka paralajmëruar fare kosovarët se më 17 korrik Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s mund t’i kushtëzojë miqësoret e Kosovës, siç ishte paralajmëruar.
“Delegacioni kosovar e ka falënderuar përzemërsisht Blatterin, me insistimin e të cilit FIFA e lejoi Kosovën të luajë miqësore. Blatter ia ka rikujtuar Vokrrit se kishte presion të jashtëzakonshëm nga UEFA e Serbia, por me fanatizëm të madh ka qëndruar prapa atij vendimi shumë të favorshëm për Kosovën”, tha një burim i Express-it brenda FFK-së.
“Në këtë takim nuk janë përmendur fare ato kushte, kinse nuk do të na lejohet të zhvillojmë ndeshje brenda territorit të Kosovë apo pa simbole shtetërore. Blatter i ka thënë Vokrrit se luani sa të doni dhe ku të doni, por vetëm organizimet e atyre ndeshjeve të bëhen konform rregullave të FIFA-s. Ai ka përsërit se ai vendim nuk ka kthim prapa”, ka shtuar ky burim.
Në këtë takim me Blatterin, Vokrri ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari i FFK-së, Predrag Joviç dhe sekretari i saj, Eroll Salihu.
Delegacioni kosovar të enjten do të kthehet në Prishtinë nga Zurichu, me ç’rast do ta mbajë edhe një konferencë për media.