E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni i golave

Në 12 xhirot e para të këtij stinori në La Liga është shënuar numri më i madh i golave në 30 vitet e fundit të Kampionatit spanjoll në futboll. Pas 120 duelesh, skuadrat nga elita kanë realizuar 534 gola, mesatarisht 2.95 për ndeshje. Sulmuesit, posaçërisht treshja Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e Radamel Falcao po i ‘bombardojnë’ portat.

Dymbëdhjetë xhirot e para të stinorit 2012-13 në La Ligën spanjolle kanë sjellë numrin më të madh të golave për ndeshje në 30 vitet e fundit.

120 ndeshjet e zhvilluara – pa llogaritur këto që do të jenë këtë fundjavë – kanë sjellë një total prej 534 golave, që barazon rekordin e para 30 viteve, që ishte përsëritur edhe gjatë edicionit 1996-97.

Megjithatë, në atë stinor u nevojitën 132 ndeshje për të barazuar këtë shifër pas 12 xhirosh meqë aso kohe La Liga përbëhej nga 22 skuadra.

Kurse, sa i përket mesatares së golave për ndeshje të realizuar këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll, ajo qëndron në 2.95 për ndeshje dhe mposhtet vetëm nga fillimi i edicionit të largët 1983-84, kur në 12 xhirot e para të zhvilluara mes 18 ekipesh – 108 takime të luajtura – sollën 326 gola, mesatarisht 3.02 për ndeshje.

Fillimi i këtij stinori është përcjellë me ndeshje të përcaktuara pas një numri të madh golash, duke përfshirë fitoren e Barcelonës ndaj Deportivo La Corunës 5-4, humbjen e Rayo Vallecanos nga Real Zaragoza 3-5, shkatërrimin e realizuar nga Real Valladolidi ndaj Rayo Vallecanos 6-1 dhe fitoren e Real Betisit ndaj Athletic Bilbaos 5-3.

Nga aspekti individual me numrin më të madh të golave të realizuar deri më tani këtë stinor janë dalluar të ‘zakonshmit’, Lionel Messi i Barcelonës që udhëheq me 17, dhe përcillet nga rivali i tij i Real Madridit, Cristiano Ronaldo (12) dhe ylli i Atletico Madridit, Falcao (10).

Ndërsa, në 30 vitet e fundit, prej stinorit 1983-84 e tutje, sa u përket 12 xhirove të para, për numrin më të vogël të totalit të golave të shënuar veçohet edicioni 1984-85, kur në 12 takime u shënuan nga mesatarisht 1.95 gola për ndeshje. Në shifër të plotë, 211 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›