Ditë të vështira

Mesfushori kosovar i Torinos, Migjen Basha ka parashikuar ditë të vështira për skuadrën e tij. Mos u mashtroni, nuk bëhet fjalë për ndonjë krizë të rezultateve të ekipit të tij, por orari i tri xhirove të ardhshme në Serie A është me të vërtetë mjaft i vështirë për Torinon.
Skuadra e drejtuar nga Giampiero Ventura aktualisht zë pozitën e 13-të me 14 pikë. Të hënën u mposht 2-0 nga Roma, kurse të dielën ndeshet me Fiorentinën e rrezikshme. Por, nuk merr fund me kaq.
Javën e ardhshme, Torino zhvillon derbin e qytetit kundër Juventusit, e më pas pret Milanin. Ky orar i vështirë ka bërë që Basha të pranojë se Torino do ta ketë vështirë në ndeshjet e ardhshme. “Do të jenë ditë të vështira”, deklaroi Basha gjatë një interviste për të përditshmen sportive italiane Tuttosport.
“Deshëm të hyjmë në këto duele me një rezultat pozitiv duke filluar nga Roma, por përfundoi ashtu siç e dimë të gjithë. Tani na pret ndeshja me Fiorentinën. Nuk mund të them se janë të pamposhtur. Por, është një skuadër e cila di të luajë futboll shumë mirë dhe do ta kemi të vështirë përballjen me ta. Janë ekip që ka shënuar shumë gola, kurse ka pranuar pak. E kam shikuar ndeshjen e tyre kundër Juventusit disa muaj më parë, ata luajtën shumë mirë, andaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nëse më duhet të jap një parashikim, them 2-1 për ne”, theksoi Basha, i cili në takimet e fundit ka qenë titullar te Torino.
Pavarësisht orarit të vështirë, mesfushori nga Suhareka beson se ekipi i tij do të paraqitet denjësisht në duelet kundër skuadrave dukshëm më kualitative se ajo e tija.
“Jemi kompakt dhe shpresojmë të luajmë mirë. Këto takime të vështira do të jenë një stimulim shtesë për ne, pas Fiorentinës ndeshemi me Juventusin, kurse tani e kemi Milanin në shtëpi. Duhet të jemi të qetë, të mos kaplohemi nga barra e sfidave të vështira, sepse ashtu mund të përfundojmë të shpenzuar, pa energji”, theksoi ai. Nga një këndvështrim tjetër, Basha ka treguar se kohën e lirë në këtë stinë dimri e kalon në shtëpi duke shikuar televizion ose përdorur internetin.
“Në këtë kohë të ftohtë preferoj të qëndroj në shtëpi, shikoj televizorin ose qëndroj në internet. Por, më pëlqen të shikoj edhe tenis, sidomos kur luan zvicerani Roger Federer, i cili është gjithnjë kënaqësi të përcillet”, përfundoi Basha.