Sezoni i mbjelljeve mberrin në rrugët dytësore të kryeqytetit, mbillen mimoza tek "Kont Urani"
Sezoni i mbjelljeve ka arritur në rrugët dytësore të kryeqytetit. Rreth 65 rrënjë mimoza u mbollën në rrugën “Kont Urani”, duke rritur përmasën e gjelbër të qytetit. Gjatë muajit mars, rreth 2500 rrënjë pemë të reja, të llojit rrap, bli, gështenjë, kumbulla do i shtohen qytetit, vetëm nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës vazhdon t'i kushtojë vëmendje të veçantë gjelbërimit dhe shtimit të hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Ekzistenca e hapësirave natyrore brenda kontekstit urban, përveç përmirësimit të cilësisë së jetës, është një element unik që mundëson bashkëjetesën e e njeriut me mjedisin ku ai jeton.
Kryebashkiaku Rama duke vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen pjesë e nismave të Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e kryeqytetit, u shpreh ndër të tjera: “Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë që na jepet, për të sjellë në rrugët e dyta të Tiranës sezonin e mbjelljeve, duke vazhduar të rrisim përmasën e gjelbër të qytetit, që sot është shumë më i pastër dhe më i gjelbër dhe nesër do të jetë edhe më i pastër edhe më i gjelbër. Unë u jam mirënjohës të gjithë qytetarëve që kontribojnë, duke mbështetur dhe duke na nxitur në këtë drejtim, ashtu sikundër edhe të gjithë atyre që janë bërë dje dhe vazhdojnë të jenë edhe sot pjesë e nismës “Një qytetar – një pemë”, banka, biznese, shoqata, individë që i ftoj të vazhdojnë të kontribojnë, sepse Tirana jonë e përbashkët do të jetë nesër një Tiranë e gjelbër, ashtu si të gjithë e dëshirojmë për fëmijët tanë, vetëm me kontributin tonë sot, me kontributin e të gjithë secilit, me kontributin e çdo pjese të shoqërisë sonë që është në gjendje të marrë pjesë në këtë nismë”.
Vetë opinioni i qytetarëve në “Transparencën 2009” e ka renditur gjelbërimin e qytetit, ndër prioritetet më të rëndësishme në punën dhe politikat e Bashkisë së Tiranës. Një nga objektivat që synohet të arrihet përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet është rivitalizimi mjedisor i qendrave urbane.
Krahas rrugëve të rikonstruktuara, infrastrukturës së përmirësuar, puna dhe politikat e Bashkisë për gjelbërimin e kryeqytetit tonë është një tjetër komponent tejet i rëndësishëm, që synon ta kthejë Tiranën në një metropol të vërtetë të standarteve dhe vlerave evropiane.