E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i rekordeve në Europë, nga Juvja, Reali deri te Mesi

Sezoni që po mbyllet ka qenë drithërues, ka rezervuar episode të paregjistruara më parë dhe rekorde të reja. Kjo është arsyeja përse edicioni 2011-2012 do të mbetet në zemrat dhe mendjet e gjysmës së Europës. Një sezon i mbyllur me suksese të shkëlqyera dhe rekorde në ligat më të rëndësishme. Nga triumfi i Juventusit, te vendi i parë me 100 pikë i Realit të Madridit dhe dopieta e trofeve të Borusias së Dortmundit. Momente që i kanë dhuruar emocione të jashtëzakonshme miliona tifozëve të futbollit.
Juventus
Xhiroja e triumfeve nis nga Italia, ku Juventusi i Antonio Kontes është rikthyer te titullit që prej skandalit Calciopoli. Bardhezinjtë iu rikthyen sukseseve në Serinë A me një rekord absolut, duke e mbyllur kampionatin pa pësuar asnjë humbje. Kjo është hera e parë që ndodh në aktivitetin me 20 skuadra. Zonja e Vjetër u shfaq si një makineri perfekte, që vendos edhe tre primate absolute: atë të numrit më të ulët të golave të pësuar në Itali, vetëm 20; rekord është edhe numri i 20-të lojtarëve që kanë shënuar të paktën një gol te Juve në këtë edicion dhe së fundmi duke theksuar fakti se asnjë skuadër deri më tani nuk e kishte fituar titullin me më shumë se 14 barazime, bardhezinjtë kishin 15 të tillë, kundrejt 23 fitoreve.
Trajnerët e larguar
Ky sezon do të mbahet mënd në Itali edhe për largimin e 19 trajnerëve, agresionin e ish-trajnerit të Fiorentinës, Delio Rosi ndaj serbit Ljajiç, apo edhe për bllokimin e ndeshjes nga tifozët e Xhenoas, që i kërkuan fanellat futbollistëve.
Reali
Viti i rekordeve na sposton në Spanjë, aty ku Reali i Zhoze Murinjos fitoi titullin në La Liga me 100 pikë të grumbulluara, pas 32 fitoreve, 4 barazimeve dhe 2 humbjeve. Një rekord absolut, që they primatin e Barcelonës së Pep Guardiolës në edicionin 2009-2010, që u ndalua në kuotën e 99 pikëve.
Mesi
Golashënuesi më i mirë në Spanjë ishte Lionel Mesi me 50 gola: rekord në La Liga për rrjeta të shënuara brenda një sezoni dhe që duket i vështirë për tu thyer në të ardhmen. Argjentinasi i vetëm do të përbënte sulmin e tetë më të mirë të kampionatit. Gjithmonë nga gadishulli Iberik na vjen edhe rekordi i Radamel Falkaos. Kolumbiani është i vetmi futbollist që fiton dy herë radhazi Këpucën e Artë në Europa League dhe e fiton dy herë aktivitetin kontinental me Porton dhe Atletikon e Madridit.
Angli
Në Angli, Mançester Siti kthehet te titulli pas 44 vjetësh dhe këtë e bën falë dy golave në kohën shtesë përballë QPR-së, ndërsa në Gjermani, Borusia e Dortmundit fiton titullin dhe Kupën për të parën herë në histori brenda një sezoni. Një ecuri e shkëlqyer e skuadrës së Jurgen Klop, që thyen dominimin e Bajernit të Mynihut, edhe pse bavarezët mund të ngushëllohen me triumfin në Champions League në finalen e 19 majit.

Alegri e Galiani kërkojnë shitjen
e Ibrës, Milani përgënjeshtron
Situata tek Milani nuk duket të jetë e qetë. Sipas agjensisë së lajmeve Ansa, trajneri Masimiliano Alegri dhe Adriano Galiani, kanë kërkuar nga ana e Silvio Berluskonit, që të shesin suedezin Zllatan Ibrahimoviç, që ka qenë edhe pika më e fortë e ekipit këtë sezon. Mësohet se Ibra nuk flet prej kohësh me trajnerin Alegri dhe për këtë arsye, ky i fundit i ka kërkuar administratorit të deleguar, Galiani, që të flasin me Berluskonin për shitjen e sudezit. Për më tepër, Ansa shkruan se Ibrahmoviç ka shkaktuar edhe përçarje mes lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Berluskoni duket se e ka kundërshtuar kërkesën e dy drejtuesve kryesorë të kuqezinjve, duke thënë se sulmuesi suedez është shumë i rëndësishëm për Milanin. Menjëherë pas këtij lajmi Milani ka reaguar me anë të një komunikate, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori. Por, një gjë është e sigurtë: në shtëpinë e Milanit gjërat nuk janë të qetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›