Sezoni i ri turistik, aksion pastrimi në rrugën nacionale të bregut të Jonit në Himarë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Në Himarë vijon puna për përgatitjen e sezonit turistik për ti krijuar pushuesve mjedise të pastra.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo tha se “pastrimi i plazheve dhe mjedisit natyror është prioritet i bashkisë Himarë. Sot u ndalëm në një tjetër segment të rrugës nacionale të bregut të Jonit, në bajpasin te kthesa e Pilurit, për të pastruar rrugën dhe mjedisin natyror në të dy anët e saj”.
Punëtorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Himarë mblodhën mbetje të hedhura në anë të rrugës, pastruan bimësinë e egër në trotuare, prenë degët e pemëve që bëhen pengesë për këmbësorët dhe automjetet, si dhe larguan inertet e mbledhura në zona të ndryshme gjatë vërshimit të ujërave.
“Ndërhyrja është pjesë e një aksioni të përgjithshëm të bashkisë në të gjithë zonën bregdetare, si pjesë e procesit të përgatitjes për çeljen e sezonit të ri turistik”, tha Tavo.
Bashkia e Himarës është në çdo kohë dhe në çdo zonë, në shërbim të qytetarëve dhe turizmit. Himara pret mijëra vizitorë gjatë sezonit turistik, të cilët vlerësojnë bukurinë e natyrës, plazhet e pastra, por edhe historinë e këtij qyteti, thesar i trashëgimisë kulturore.
1 nga 6/k.s/a.f/