E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Transparencë mbi procesin e integrimit me BE-në, çështje e interesit kombëtar

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend kërkoi që mazhoranca të bëjë publike pozicionet negociuese të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Tabaku tha se opozita dhe qytetarët janë lënë jashtë procesit të integrimit për sa i përket transparencës.

Sipas saj “sot qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion se çfarë ndodh me negociatat; nuk kanë asnjë informacion për pozicionet negociuese. Parlamenti nuk ka asnjë informacion se cilat janë detyrimet e ndërmjetme. Deputetët nuk kanë asnjë informacion për detyrimet ligjore dhe për periudhën kohore. Asnjë deputet i opozitës nuk është i përfshirë në këtë proces”.

Tabaku kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, që të luajë rolin institucional dhe të informojë opozitën në këtë proces.

“Në mënyrë të vazhdueshme kemi kërkuar publikimin e ligjeve dhe të pozicioneve negociuese, në mënyrë që të ketë informacion dhe transparencë”, tha ajo.

Tabaku shtoi se ky nuk është thjesht një proces teknik.

“Është një proces politik dhe qytetarët shqiptarë duhet të dinë se çfarë po negociohet sot në Bruksel, nëse ka pengesa në Bruksel, cilat detyrime janë marrë si angazhim për t’u kryer dhe nuk janë përmbushur. Nëse ligji i miratimit të portit të jahteve është pengesë apo jo?! Nëse mosvotimi i imunitetit të zëvendëskryeministres është bërë problematik dhe është diskutuar atje?!

“Këto janë çështje shumë të rëndësishme të procesit të integrimit. Është çështje e interesit kombëtar dhe nuk mund ta trajtoni si pronë tuajën”, u shpreh ajo.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›