Sezoni i verës/ Fluks turistësh në memorialin e Gjergj Kastrioti Skëndërbeut në Lezhë

Memoriali i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu në nderim të 2 marsit 1444 ku u mbajt Besëlidhja e Lezhës, po tërheq vëmendjen e turistëve të shumtë.
Pjesa më e madhe e vizitorëve janë shqiptarët e Kosovës, por nuk mungojnë as të huajt. Ata tregojnë se objekti që i përket shek. XIV i ka befasuar.
“Historinë nuk e njoh, por ngela e befasuar nga memoriali i Skëndërbeut. U rrëqetha. Ishte spektakolar. Më pëlqen si e kanë ndërtuar dhe mirëmbajtur. Tani do të shkoj të lexoj për historinë dhe të sjell miqtë e mi këtu në Lezhë. Për mua Lezha është një ndër qytetet më të bukura që kam vizituar,” thotë Italiani.
Përveç të huajve, Memoriali është një ndalesë e dashur edhe për shqiptarët. Shumë prej tyre rikthehen aty për të disatën herë.
Sipas të dhënave zyrtare gjatë këtij sezoni veror memoriali i Gjergj Kastriotit në Lezhë është vizituar nga rreth 5 mijë persona.
Ky numër mund të ishte më i lartë nëse do kishte një vendparkim për mjetet e turistëve, pasi sheshi kryesor i qytetit nuk shërben si i tillë gjatë muajve të verës.
Duke parë fluksin e lartë të vizitorëve, Bashkia Lezhë ka zgjatur orarin e shërbimit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
Gazetar: Rr. Lelçaj
/RTSH/