Sezoni me pagesë, 15 mijë të vjetra për çdo test
Studentët e sistemit part-time të Fakultetit Juridik, do të paguajnë 15 mijë lekë të vjetra, për çdo provim në sezonin e provimeve me pagesë. Ky vendim vlen vetëm për ata të rinj, që kanë rezultuar mbetës në lëndë të caktuara dhe që do të provohen në sezonin e riprovimeve. Ndërsa studentët që nuk janë paraqitur, gjatë tre sezoneve klasike, pranverë, verë dhe vjeshtë, por që duan t’i shlyejnë këto provime, nuk do të paguajnë. Pagesa është afishuar pranë sekretarisë së Fakultetit të Drejtësisë, për të gjithë studentët e interesuar të sistemit part-time. Ndërsa në fakultetet e tjera të UT-së nuk janë afishuar ende listat e tarifave për provimet e sezonit me pagesë, si dhe informacioni përkatës. Studentët janë ende në pritje për t’u informuar mbi çmimin që do t’u duhet të paguajnë për secilin provim, ku rezultojnë mbetës. Megjithatë, sekretaritë e fakulteteve njoftojnë se listimi i tyre do të bëhet deri në fund të muajit maj. Për çdo vit, sipas rregullores së Universitetit të Tiranës do të ketë të paktën një sezon provimesh me pagesë.
Pak kohë më parë, rregullores së Universitetit të Tiranës, i është shtuar një vendim më shumë. Ky propozim është bërë nga vetë studentët, të cilët nëpërmjet këshillave studentorë kanë propozuar që sezoni i riprovimeve, të bëhet me pagesë. Kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e të mos pasurit mundësi për t’i dhënë këto provime, pasi do t’u duhej ta frekuentonin lëndën një vit më pas. Kjo, do të ishte “fatale”, sidomos për studentët që presin të diplomohen, pasi do t’u duhej ta shtynin dhënien e diplomës për një vit më pas.
#