E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agron Kuliçi: Ju tregoj masakrën e Cërrikut

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dëshmon në gjykatë momentin e plagosjes

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke treguar detaje nga masakra e Cërrikut, ku edhe u plagos. Ai tha se ka dëgjuar që Met Bozi ka qenë organizator i kësaj tragjedie, ndërsa emrin e Land Xhepaxhiut e ka dëgjuar nga shoferi i shefit të krimeve në Elbasan. “Do kisha dëshirë të dija se kush më ka plagosur, por një nga ata ka qenë se s’kishte njeri tjetër”, theksoi Kuliçi në fund të dëshmisë 30 minutëshe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në fillim të dëshmisë ai deklaroi se në maj të vitit ’97 është emëruar shef komisariati në Elbasan dhe për çdo situatë të jashtëzakonshme apo për ngjarje të rëndë komunikonte me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agim Shehu.

Detyra ime

Nëndrejtori aktual i Policisë së Shtetit dëshmoi se në maj të vitit 1997 është emëruar shef komisariati në Elbasan. Disa ditë pas emërimit ka mbledhur efektivët e policisë për t’u njohur me situatën atje. “Situata në Elbasan ishte e qetë. Pasi mora takim me drejtuesit e Elbasanit, shefin e krimeve për informacione u lashë porositë e mia për situatën dhe pasdite do raportoja në prefekturë për situatën. Kam takuar Fatos Tivarin për të marrë informacion me të përgjithshëm. Gjatë bisedës me të u informova se një grup personash kishin sulmuar postën në Cërrik. Kam biseduar me ish-drejtorin e Policisë të Elbasanit. Ai thirri shoferin e tij dhe morëm angazhim që të tentojmë të vendosim rendin”, vijoi Kuliçi. Sipas tij, dita e dytë e punës ka qenë e qetë dhe pasdite do të raportonin në prefekturë për masat e mara për stabilizimin e situatës në Cërrik, që kishte dalë jashtë kontrollit. “Njoftuam eprorët tanë në lidhje me situatën. Kam biseduar me ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Agim Shehun. I kam kërkuar prezencën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Forcat kanë mbërritur rreth mëngjesit. S’më kujtohet numri i tyre, por kanë qenë 2 mjete të blinduara. Kemi biseduar me shefat e stafit dhe Arjan çengën. Në mëngjes vendosëm të niseshim drejt Cërrikut dhe Belshit, pasi kishim informacion për grumbullim municionesh”, deklaroi Kuliçi.

Plagosja në Cërrik

Kuliçi pohoi se ka pasur një plan masash, por për shkak se ishte mëngjes ato nuk u protokolluan. “Në hyrje të Cërrikut njohëm një person të larguar nga paraburgimi. Ishte i akuzuar për vrasje, grabitje dhe kishte automatik në krahë. E shoqëruam me mjete të policisë. Shkuam në Belsh në një bazë armatimi dhe pastaj lëvizëm drejt Cërrikut. Komunikimi bëhej me radio. Para se të hynim në qytet forcave u ishte bërë një instruktazh i qartë dhe i prerë që të mos binin pre e provokimeve dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të përdorej arma, pasi ishte zonë e populluar. Ishte planifikuar që nëse do përballeshim me situatën do dilnim nga fshati Patri, ku kishte forca policie. Kam qenë në mjetin e dytë në radhë, kanë qenë edhe tre persona në blind. Njëri prej tyre, mora vesh 2-3 muaj pas ngjarjes, ishte vrarë. U futëm në qytet nuk pati asnjë reagim, u vendosëm përpara shtëpisë së kulturës”, tha Kuliçi, duke shtuar se qyteti rrethohej nga pallate të larta dhe pas hyrjes në qendër ka filluar një breshëri automatikësh. “Nga ndërtesa përballë u godit me automatik një blind. Këtë e kam parë vetë. Pas kësaj jam plagosur dhe më dërguan në spital. Kam parë kur u qëllua me automatik dhe kam dëgjuar disa krisma. Nuk u qëllua asnjë qytetar dhe për këtë jam i gëzuar, ndërsa nga policia u qëlluan 20 veta. Pas ngjarjes kam komunikuar me Arjan çengën. Tërheqja u bë nga rruga e planifikuar nga Patri. Zjarri zgjati 30 minuta. Kishim planifikuar një rrugë tërheqjeje tjetër dhe të plagosurit të niseshin drejt Tiranës. Nga informacionet kemi mësuar që na ka goditur grupi i ‘Landit’. Kam dëgjuar edhe për Met Bozin”, shtoi Kuliçi, duke saktësuar se kanë qenë vetëm 2 mjete të blinduara dhe se efektivat kanë pasur vetëm armatimin personal. “Për autorët ashtu siç është thënë kam mësuar që ishte grupi i Land Xhepexhiut. Kam mësuar që ky grup ka qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale si vrasje, grabitje etj. Nga burimet e mia kam dëgjuar se Met Bozi ishte organizatori”, mbylli dëshminë Agron Kuliçi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›