Shtyhet pa afat emetimi i eurobondev. BERZH: Përqendrohuni tek ulja e deficitit
Burime jozyrtare nga Ministria e Financave thanë dje për “Top Channel” se emetimi i bondeve sovrane në euro të qeverisë shqiptare është “shtyrë pa afat”, për shkak të vijimit të trazirave në tregjet financiare botërore. Zyrtarisht qeveria nuk është tërhequr nga ideja për emetimin e bondeve, por ka deklaruar se gjendet në “pozicion pritës”, pra në pritje të stabilizimit të tregjeve. Nga ana tjetër, një ekonomist i lartë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, deklaroi për “Zërin e Amerikës” se qeveria shqiptare duhet të mendojë, ndërkohë të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe të përmbajë deficitin buxhetor, duke shtuar se sipas vlerësimit të BERZH-it, rritja ekonomike në vitin 2010 në vendin tonë do të jetë edhe më e ulët se ajo e vitit 2009, ose vetëm 1.4 për qind. Peter Sanfi thotë se ruajtja e qëndrueshmërisë makroekonomike, mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe e deficitit fiskal, janë më të rëndësishme se sa koha e shitjes së eurobondeve nga qeveria shqiptare.
“është shumë e vështirë të parashikosh dhe të thuash se cila do të jetë koha më e mirë. Jemi në kohën kur ka luhatje të mëdha në treg. Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë, është më shumë se sa shitja e eurobondeve – është e rëndësishme të ruhet stabiliteti makroekonomik, mbajtja nën kontroll e inflacionit, menaxhimi i deficitit fiskal. Këto janë parametrat e rëndësishëm ku duhet të përqendrohet qeveria”, tha Sanfi.
Shumë ekspertë druajnë se qeveria do ta gjejë më të lehtë të rrisë huamarrjen e brendshme dhe borxhin publik gjatë këtij viti, në vend që të zgjedhë të kursejë. Por rritja e huamarrjes në tregun e brendshëm konsiderohet veçanërisht problematike, sepse në këtë mënyrë qeveria shkakton rritje të interesave të kredive për sektorin privat. Vitin e kaluar, qeveria tërhoqi në tregun e brendshëm rreth 50 milionë euro kredi me interes prej mbi 10 për qind, ndërkohë që familjet dhe bizneset shqiptare pranojnë zakonisht të paguajnë 7-8 për qind interes për kreditë në euro. E njëjta situatë mund të përsëritet edhe këtë vit. Përveç dështimit me eurobondet, qeveria gjendet nën presion për shkak të rënies së konsiderueshme të të ardhurave tatimore në krahasim me parashikimet e veta, gjë që e bën ruajtjen e deficitit buxhetor në parametra normalë diçka shumë të vështirë.
#