E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni nuk është humbur

Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 09:03

Carlo Ancelotti ka insistuar se sezoni i Chelseas do të jetë i suksesshëm nëse ata kualifikohen për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Gjiganti londinez deri më tani ka kaluar një sezon të vështirë që u bë edhe më i rëndë pas humbjes në shtëpi nga Evertoni në FA Cup, të shtunën.

Kampioni aktual i Premierligës është dukshëm jashtë gare për të mbrojtur titullin me 12 pikë më pak se lideri Manchester United.

Ekipin e Ancelottit tani e pret një përballje e dyfishtë me Copenhagen në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, në përpjekje për të shpëtuar sezonin e tyre. Por, trajneri italian thekson se përfundimi në katër pozitat e para këtë sezon do të duhej të shihej si mision i realizuar.

“Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 90 ditë, tre muaj. Andaj ne duhet të japim vlerësime në fund të sezonit. Mund të jetë një sezon shumë i mirë për ne, sepse duam të mbetemi në Ligën e Kampionëve dhe të përfundojmë në pozitën e katërt”, tha Ancelotti për Sky Sports News.

Spekulimet vazhdojnë të qarkullojnë se Ancelotti i ka ditët e numëruara në Stamford Bridge dhe humbja nga Copenhageni mund të jetë akti i fundit i aventurës së tij në klub. Mirëpo, ish-trajneri i Juventusit dhe Milanit beson se ekipi i tij do të paraqitet si duhet në ndeshjet e mëdha. “Nuk është një moment i lehtë, por mund të jetë motivim i mirë për ne të luajmë në këto ndeshje”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›