Rama-Berishës: Hiq dorë nga presioni mbi median
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka kërkuar sot kreut të qeverisë të korrigjojë pa humbur kohë gabimin e shkeljes së barazisë së subjekteve politike e shoqërore në hapësirën e mediave elektronike.
Gjatë një konference për shtyp, Rama i ka bërë apel kryeministrit Berisha të heqë dorë nga presioni abuziv mbi ato media që në ushtrim të lirisë së tyre kushtetuese e ligjore transmetuan një spot kritik të një organizate shoqërore jofitimprurëse ndaj qeverisë.
“Dua t'i bëj sot apel kryeministrit Berisha për të mos e provokuar më tej opozitën duke përdorur lekët e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike”- tha Rama.
Berisha, sipas tij, nuk duhet të bëjë as rolin e shurdhit ndaj kësaj kërkese legjitime të opozitës dhe as rolin e budallait në raport me ligjin e me vetë vendimet e qeverisë së tij, që e ndalojnë shprehimisht spotin propagandistik të prodhuar e të transmetuar me lekët e shqiptarëve për llogari të interesit politik e partiak të Sali Berishës.
Po ashtu kryeministri, ka vijuar më tej kreu i selisë rozë, s'mund të bëjë as shurdhin e as budallain në lidhje me faktin se KKRT-ja, përmes kryetares së zgjedhur prej qeverisë, ka gjobitur në mënyrë të paligjshme televizionet që kanë transmetuar një reagim të ligjshëm të qytetarëve të këtij vendi ndaj spotit të kryeministrit.
“Dua t'i bëj apel kryeministrit Berisha që të kuptojë se nuk është në interes të vendit e të bashkëqytetarëve tanë kthimi mbrapa në debatet e vjetra e të ashpra për të drejtat e liritë elementare të opozitës në procesin politik në tërësi dhe atë elektoral në veçanti”- theksoi Rama.
Ai ka deklaruar se PS nuk e dëshiron rritjen e tensionit politik, aq më tepër për shkaqe krejtësisht të evitueshme dhe as dëshirojmë që të ringjallim tek qytetarët shqiptarë e tek komuniteti ndërkombëtar shqetësimin e vjetër të shkeljes së lirive e të drejtave më elementare të opozitës e të medias në Shqipëri.
Në vijim të apelit të tij, ia ka kërkuar:
1. Të ndalojmë njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, ose të lejojmë njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, spotet televizive jashtë periudhës elektorale të përcaktuar nga ligji.
2.Të mos ketë asnjë kufizim ligjor për spotet sensibilizuese të subjekteve të shoqërisë civile për problemet e vendit e të qeverisjes së tij në nivel qëndror e vendor.
3. Të përcaktohet qartë me ligj llojin dhe kohëzgjatjen e njoftimeve të qeverisë apo institucioneve shtetërore përmes spoteve televizive.
4. Të ndalohet dhuna ndaj mediave përmes gjobave arbitrare të shumicës politike të KKRT që përfaqëson qeverinë në atë institucion.
Këtë apel kryeministri, sipas Ramës, nuk duhet ta neglizhojë për të mos i krijuar procesit politik kosto që mund të shmangen dhe duhet të shmangen, sepse vendit nuk duhet t’i shtohen, por pakësohen hallet. “Në këtë vit elektoral forcat politike duhet të kenë liri, të drejta dhe kushte të barabarta për ta bërë publike ofertën e tyre; sepse Shqipëria nuk duhet në asnjë mënyrë të dëmtohet në rrugën e saj drejt NATO e BE, për shkelje të rregullave më elementarë të demokracisë”- përfundoi ai.