E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, ky i keqkuptuar i madh

Share

Si po përgatitet Edi Rama që të marrë pushtetin në Shqipëri, çka ka kuptuar ai për Kosovën dhe çka e lidh atë me Hashim Thaçin?

Nga Adriatik Kelmendi

EDI RAMA DHE HASHIM THAÇI janë shumë të ndryshëm si personalitete. Por kanë edhe shumë pika të përbashkëta. Për shembull, që të dy janë ndër politikanët më të gjatë ndër shqiptarë. Të dy veshin rroba të qepura me porosi, të cilëve u kushtojnë kujdes të veçantë. Dhe… dhe spo di çfarë tu gjej tjetër të përbashkët. Mirëpo, ajo që më shtyri ti krahasoj është qasja kohëve të fundit e Edi Ramës, e cila mi ngjan bukur shumë Hashim Thaçit, para ardhjes së këtij të fundit në pushtet. Atëbotë, në periudhën e viteve 06-07, opozitari i vështirë Thaçi kishte vendosur ta ndryshonte thuaja krejtësisht pllakën, të bënte gjërat ndoshta fare të paparamenduara për të më herët, në mënyrë që të krijonte momentumin që do tia mundësonte përfundimisht uljen në karrigen e kryeministrit.

Lëvizje të ngjashme mund të vërehen këto ditë te kryetari i Partisë Socialiste. I mposhtur nga Partia Demokratike si në garën për të udhëhequr Qeverinë ashtu edhe Tiranën, Rama ska më çfarë të humbë. Dhe ka vendosur të bëjë çdo gjë, që të fitojë. Thaçit i kishte shkuar për dore që përfundimisht ta mundte LDK-në. Fare lehtë mund ti shkojë për dore edhe Ramës.

EDI RAMA, NDONËSE një nga intelektualët më të mëdhenj ndër shqiptarët përgjithësisht, çuditërisht shumë vonë e kishte kuptuar edhe një gjë me rëndësi, që sia kishte vënë veshin më herët. Është Kosova. Ai e filloi mirë ndërrimin e përshtypjes së qytetarëve të shtetit të ri me vizitën që bëri në fund të vitit të kaluar dhe me promovimin e librit të tij autobiografik.

Thjesht, nuk besoj të ketë edhe ndonjë politikan tjetër më të keqkuptuar dhe më të paragjykuar nga kosovarët seç ka qenë Rama. Përgjithësisht, të prirë nga analiza sipërfaqësore dhe emocionale mbi skenën politike në Shqipëri, kosovarët kishin ndërtuar perceptimin e gabuar dhe stereotipik mbi Ramën në mënyrën që të fitohet një përshtypje për dikë vetëm duke shikuar imazhe të shfaqura nëpër fotografi. Kështu, në fotografitë e kosovarëve Rama shihet në një plazh nudo; në një tjetër i veshur me ngjyra fluroscente, si jotipike nga arketipi për politikanët tradicionalë hijerëndë shqiptarë; në tjetrën duke bërtitur me një altoparlant dhe në më të rëndën duke ia dhënë çelësin e qytetit të Tiranës një këngëtari serb, Goran Bregoviq. Kaq kishte mjaftuar, që bashkë me propagandën armiqësore të kundërshtarëve, Rama të ngulitej në mendjen e një pjese bukur të madhe të kosovarëve si një sharlatan joserioz.

Fatkeqësisht, kujtesa e kosovarëve për politikën në Shqipëri është tmerrësisht afatshkurtër. Kështu, në Kosovë masa sigurisht ka harruar se ka qenë pikërisht Qeveria ku Edi Rama ka qenë ministër i Kulturës ajo që i ka pritur ata si refugjatë gjatë kohës së luftës. E po ashtu, kanë harruar se ka qenë pikërisht ky Edi Rama ai që kishte ndryshuar rrënjësisht pamjen e çoroditur të Tiranës së atyre viteve, me rrënimin e ndërtimeve pa leje, gjë që i solli atij çmime e mirënjohje nga Kofi Annan dhe revista prestigjioze Time. Paradoksalisht, më shumë çojnë peshë fotografitë nudo dhe ato me Bregoviqin.

Mirëpo, çtë thuhet më tepër për këtë, kur të njëjtit këta kosovarë kishin harruar shpejt edhe ndoshta mëkatin më të madh që ka bërë ndaj Kosovës Shqipëria paskomuniste, por që ishte bërë në pjesën e parë të viteve 90, kur në pushtet ishin demokratët e Sali Berishës. Në këtë kohë Shqipëria ishte vendi i vetëm i rajonit që thyente embargon e OKB-së ndaj Serbisë, për shkak të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, dhe e furnizonte me derivate të naftës. Me të njëjtën naftë që Beogradi e përdorte edhe për të mbajtur pushtetin policor për të shtypur shqiptarët në Kosovë.

Këta shembuj të shpejtë gjithsesi flasin shumë për faktin se sa i çuditshëm dhe i pakuptueshëm është vlerësimi i kosovarëve për politikën në Shqipëri.

PO THEM, RAMA e ka vendosur që të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Dhe po bën gjithçka që të krijojë mendësinë e fituesit të pashmangshëm. Ka filluar tu kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë, që së paku mos të shihet si një i huaj, i panjohur, ose i çuditshëm, shumë ndryshe. Ka filluar të bëjë paqe me ish-miqtë që kohëve të fundit i ka shpërfillur, nënçmuar ose fyer. Ka vendosur të gëlltisë edhe ato që ka pështyrë, si në rastin e takimit me Ilir Metën. Ka riafruar një ndër mendjet më reformatore në PS, siç është rasti me Ben Blushin. Ka filluar tu japë fund armiqësive edhe me televizionet e para si armike. E të gjitha këto, si lëvizje anësore teksa përpilon plane e strategji për reforma të përgjithshme në sektorë të ndryshëm shoqërorë, politikë e ekonomikë në Shqipëri. Si dhe ashtu siç kishte bërë Thaçi në Kosovë të mos ua prishë qejfin ambasadave të shteteve të fuqishme.

Në Kosovë kjo qasje kishte dhënë rezultatet e veta dhe Thaçi ia kishte dalë ta mundte LDK-në në zgjedhje, pas 16 vjetësh të kësaj në pushtet.

A do tia dalë edhe Edi Rama? Fundi i fundit, ska çfarë të humbë. Përveçse ndoshta postit të kryetarit të PS-së.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›