Greqia bëhet gati të kthehet tek dhrahmia

Ish-guvernatori i Bankës së Greqisë, Luka Papademos, duke treguar prerjen 5 mijë dhrami (qershor 1998) - Foto Reuters
Ervin Koçi
Mund të thuhet me plotë gojë se Greqia pas një krize të zgjatur, tani është në prag divorcit me Bashkimin Europian. Kjo do të ndodhë nëse shteti helen heq dorë nga monedha e përbashkët euro dhe nis hedhjen në qarkullim të monedhës së vjetër, dhrahmisë. Për këtë çështje ka nisur të diskutohet mjaftë nga të gjithë krerët e vendeve të zhvilluara, të cilët janë të shqetësuar për kursin që po merr Greqia. Por duket se, kjo e fundit, e ka të qartë skenarin që do të vërë në zbatim.
Kompania e britanike e prodhimit të kartëmonedhave, De La Rue, tani ka gati modelin për shtypjen e dhrahmive. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Reuters, e cila i është referuar një burimi anonim të kompanisë britanike, e cila është prodhuesja më e madhe në botë e kartëmonedhave. Por zërat për një braktisje të eurozonës nga ana e Greqisë, u hodhën poshtë dje nga komisioneri për Ekonominë në BE, Olli Rehn, i cili tha se, as Greqia nuk do lërë euron dhe as marrëveshja e ndihmës nuk do të rinegociohet.
Deklaratën e Rehn e kishte përforcuar më herët edhe presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, i cili pas takimit me homologun e tij francez Hollande, tha: Greqia nuk duhet të dalë nga eurozona. Kemi rënë dakord për këtë. Në këtë linjë kanë qenë edhe lider të tjerë të vendeve të eurozonës, por nuk kanë përjashtuar as zhvillimin e skenarëve negativë nga ana e Athinës.