Sezoni turistik dhe personat në kërkim, marrëveshjet me Kosovën
Sezoni turistik dhe trajnimi i forcave policore ka mbledhur në një takim ministrin e Brendshëm shqiptar dhe atë të Kosovës. Ata kanë diskutuar për rreth një orë sesi të lehtësojnë sa më shumë kushtet në kufi që gjatë sezonit turistik të mos krijohet asnjë problem për turistët nga të dyja anët e kufirit. Në një pikë të takimit, dy homologët kanë diskutuar edhe për personat në kërkim, të cilët qarkullojnë nga Shqipëria drejt Kosovës, apo anasjelltas. Takimi është zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku Bujar Nishani priti homologun e tij, Zenun Pajaziti dhe delegacionin që e shoqëronte. Ministri i Brendshëm Nishani u shpreh në takim se ekziston një vullnet i qartë për bashkëpunim i qeverive të Shqipërisë e Kosovës, e po kështu edhe angazhimi për zgjerimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në të dyja vendet. Ministri Nishani evidentoi edhe faktin se në funksion të objektivave të njëjtë për luftën kundër kriminalitetit, kundër trafiqeve të paligjshme apo menaxhimin e integruar të kufirit, strukturat e zbatimit të ligjit në të dyja vendet po bashkëpunojnë ngushtësisht jo vetëm në rrafshin dypalësh, por edhe në kuadër të një angazhimi më të gjerë rajonal në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, Nishani shprehu vlerësimet e tij për arritjet e strukturave policore të Kosovës në luftë kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme. Ai nënvizoi nevojën e shkëmbimit të përvojave nga të dyja palët, duke përmendur në veçanti fushën e trajnimit policor për të cilën vlerësoi përvojën e vyer të Akademisë Policore të Kosovës. Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, u ndal në rezultatet e deritanishme në Kosovë, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe vlerësoi në këtë aspekt operacionet e përbashkëta me strukturat policore të Shqipërisë. Ministri Pajaziti theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojave dhe shtimin e kontakteve dypalëshe në të gjithë sektorët që mbulojnë Ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri Pajaziti paraqiti në takim edhe një draft marrëveshje për bashkëpunimin mes strukturave të emergjencave civile në të dyja vendet. Një çështje tjetër që u diskutua në takim ishte edhe krijimi i lehtësirave të nevojshme për lëvizjen e qytetarëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas gjatë sezonit turistik. Në këtë aspekt, ministri Nishani shprehu angazhimin që përvoja e krijuar me pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan me Malin e Zi, të shërbejë si shembull për nisma të ngjashme edhe me Kosovën, pasi nisma të tilla mbështeten edhe nga Komuniteti Evropian. Pajaziti u takua edhe me kreun e policisë shqiptare.