Vjedh shtëpinë e të afërmve, arrestohet
Vjedh me thyerje shtëpinë e të afërmit, vihet nën pranga. Duke u gdhirë dita e djeshme, uniformat blu të Durrësit kanë vënë në pranga 25-vjeçarin Ismet Selimaj. Ai akuzohet për vjedhjen e shtëpisë së një personi të afërt pak ditë më parë në fshatin Surroj të Kukësit. Ismeti, së bashku me familjen e tij, prej pak kohësh kanë migruar në fshatin Xhafzotaj të Durrësit duke lënë pas fshatin Surroj, vendlindjen e të arrestuarit. Papunësia dhe vështirësitë e hasura në sigurimin e të ardhurave dyshohet se e kanë shtyrë 25-vjeçarin të planifikojë vjedhjen e të afërmit të në Kukës. Burimet policore deklaruan se të martën, rreth orës 01:00, arrestuan shtetasin Ismet Selimaj me arsim fillor, pasi nga provat e siguruara rezulton të jetë autori i vjedhjes me thyerje të banesës së Nezir Selimajt, të afërmit të tij, në fshatin Surroj të Kukësit. Vjedhja ka ndodhur të shtunën e kaluar. I arrestuari akuzohet të ketë marrë një shumë prej 200 mijë lekësh të reja dhe pas vjedhjes është kthyer në shtëpinë e tij në Xhafzotaj. Selimaj u kap në Shkozet të Durrësit dhe gjatë kontrollit iu gjetën 50 mijë lekë, të cilat i kishin mbetur nga paratë e vjedhura në shtëpinë e Nezirit. Së bashku me provat materiale, 25-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë së Policisë së Kukësit për veprime të mëtejshme, pasi ngjarja ka ndodhur në këtë qark.