E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 spitale private, kërkesë për pajisje me licencë

Katër spitale private pritet të çelin aktivitetin e tyre brenda një kohe të shkurtër. Gjatë këtij muaji, qendrat jopublike janë në proces licencimi të aktivitetit, ndërkohë që janë në punë e sipër të ndërtimit të qendrave, pajisjen me infrastrukturë spitalore.

Qendrat shëndetësore private, prej disa muajsh kanë kërkuar staf mjekësor, sipas metodës së konkurseve dhe kritereve të vendosura për pranimet e numrit të specialistëve. Lajmin e ka pohuar zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, ndërkohë që ka sqaruar se këto spitale jopublike do të funksionojnë sipas rregullave dhe ligjeve të miratuara nga strukturat përkatëse, duke specifikuar të gjitha detyrimet, përgjegjësitë e funksionimit të këtyre qendrave. Sipas tij, nga këto, tre spitale private do të jenë në Tiranë, ndërkohë që një prej tyre do të jetë në Durrës.

Shërbimi privat

Tregu privat konsiderohet si një element komplementar në sistemin shëndetësor shqiptar, ndërkohë që me nisjen e reformës spitalore pritet që gradualisht dhe spitalet private të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Spitalet private priten të jenë pjesë plotësuese dhe e rëndësishme e sistemit shëndetësor, duke ndikuar në uljen e çmimeve dhe nxitjen e konkurrencës në këtë fushë. Kriteret për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një spitali, janë të përcaktuara qartë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kontrolli i spitaleve private, qendrave shëndetësore, laboratorëve apo shërbimeve të tjera private shëndetësore kryhen nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga strukturat në varësi të saj.

Inspektimet, sipas ligjit, duhet të jenë para çeljes së aktivitetit, gjatë kohës së punës në treg dhe konfirmim të plotësimit të kushteve për çdo herë që kërkohet rilicencim.

Kriteret për licencën

Për të marrë iniciativën për të menaxhuar një spital privat duhet të plotësosh një listë kriteresh dhe standardesh, të cilat ende nuk kanë marrë një formë definitive për t‘ia paraqitur të interesuarve. Kështu, sipas kritereve, veç stafit profesional sipërmarrësit e spitalit privat duhet të plotësojnë kushtet e infrastrukturës, si dhe specialitetet. Stafet e klinikave private duhet të jenë profesionale, mjekët e licencuar, si dhe çdo shërbim duhet të ketë specialistët e vet sikundërse ka edhe qendra spitalore universitare "Nënë Tereza". Pavijonet kryesore duhet të jenë kardiologjia, urgjenca, psikiatria, pediatria. Ndërkohë që spitalet duhet të plotësojë e dhe kushtet parësore si lavanteria, hoteleria, kuzhina dhe pastërtia. Spitalet private duhet të kenë patjetër të sistemuar në mënyrë të përsosur kardiologjinë, anestezinë, obstetrikën, përpunimin e informacionit të kartelave në një zyrë statistikash, si dhe kujdesin parësor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›