E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik rrit vlerën e lekut

SHKRUAN: Blerina Hoxha 11-07-2011 11:03

Prurjet valutore, për shkak të sezonit turistik, kanë ndikuar në forcimin e monedhës vendase, lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro kushton 140.7 lekë në këmbim me lekun, ndërkohë që në fillim të javës që shkoi, euro kushtonte 1 pikë më shumë, gjithashtu leku është forcuar lehtë edhe ndaj dollarit amerikan. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë shpjegojnë se, forcimi i lekut në këtë periudhë ishte i pritshëm. Mirëpo, pavarësisht një vlerësimi të lehtë të lekut, që mund vijojë edhe në ditët në vijim, vlera e monedhës vendase vijon të qëndrojë shumë poshtë vlerave historike të lekut në këtë periudhë. Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, numri vizitorëve në gjashtëmujorin e parë të vitit i ka kaluar të 1.2 milionë persona. Kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë gjatë pjesës së mbetur të vitit, për shkak se sezoni turistik do të gjendet në kulmin e tij. Dihet që turizmi sjell hyrje në euro, duke krijuar kështu një rritje të kërkesës për lekë dhe rritje të vlerës së saj. Monedha vendase është ndierë këtë vit në presionin e hyrjeve më të pakta valutorë, për shkak se prurjet e tyre kanë rënë. Ky vit konfirmon që vlera e lekut ka ndryshuar sjellje ndaj sezonalitetit. Kështu zhvlerësimi i lekut në fillim të çdo viti po kthehet tashmë në traditë, për shkak se përkon me një sezon ku kompani të huaja transferojnë fitimin në vendet e origjinës. Shpërngulja e fitimit është shkaku themelor, pse vlera e euros ka kaluar kufirin e 140 lekëve. Agjencitë e këmbimit e kanë shitur një euro 1421 lekë, deri para dy javësh, vlera këto dukshëm të larta në krahasim me vitin e kaluar në këtë periudhë. Kjo për shkak se, tashmë në tregun tonë operojnë investitorë strategjikë, që realizojnë një fitim vjetor të konsiderueshëm. Të shtrirë në sektorin e telekomunikacioneve, të bankave dhe industrisë, si AMC, Vodafon, Kurum, dhe pothuajse të gjitha bankat, këto kompani realizojnë fitime prej miliona eurosh. Duke qenë se, aktiviteti i tyre brenda vendit tonë ushtrohet kryesisht në lekë. Në këtë periudhë, ato transferojnë fitimin dhe u duhet të konvertojnë monedhën vendase me euro, duke ndikuar kështu në zhvlerësimin e konsiderueshëm të saj. Gjatë vitit që shkoi, monedha vendase u favorizua në kursin e këmbimit nga rritja e eksporteve, të cilat sollën mbi 1.2 miliardë euro hyrje valutore. Kjo sasi valute, në një farë mënyre zëvendësoi rënien e prurjeve të emigrantëve, të cilët gjatë dy viteve të fundit kanë sjellë gjithnjë e më pak euro në vendin tonë, për shkak të krizës që kanë kaluar vendet ku ato po jetojnë dhe sidomos Greqia. Ekspertët mendojnë se, situata në eksporte do të jetë pozitive edhe këtë vit, për shkak të situacionit optimal në prodhimin e energjisë elektrike dhe rritjes së çmimeve të metaleve dhe karburantëve në tregun ndërkombëtar. Pasi vitet e fundit, Shqipëria ka rritur ndjeshëm eksportin e kromit, energjisë dhe natës bruto. Pikërisht për shkak të tregtisë së jashtme, monedha vendase mund të pësojë goditje. Rritja e çmimeve të pothuajse të të gjitha mallrave të konsumit të përditshëm, të cilat blihen me euro, do të shtojnë kërkesën e importuesve për euro, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e vlerës së saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›