AKEP: Nga tetori 2,40 lekë më pak çdo sms nga celulari
Të gjithë klientët e telefonisë së lëvizshme, të cilët preferojnë të konsumojnë mesazhe me tekst do të përfitojnë nga tarifat e ulura për çdo kompani. Nëqoftëse sot paguani për një sms të dërguar drejt cilitdo operator 12 lekë pa TVSH, më 1 tetor 2011 do të paguani 2,40 lekë më pak, pra 9,6 lekë. AKEP ka çelur një komunikim publik, që do t’i paraprijë nismës për uljen e unifikuar të çmimeve të sms-ve për të gjitha kompanitë e telefonisë së lëvizshme që operojnë në tregun shqiptar, me qëllim konkurrencën e ndershme në treg të të gjitha kompanive të telefonisë së lëvizshme që operojnë në Shqipëri. Autoriteti i komunikimeve Elektronike dhe Postare ka publikuar një analizë tregu se si operojnë në vend kompanitë e telefonisë së lëvizshme. Duke iu referuar nismës së AKEP, ulja e çmimeve të sms-ve me shumicë për të gjitha kompanitë do të nisë që nga 1 tetori 2011, duke u shtrirë deri më 1 shtator 2013. AKEP pretendon që tarifat e sms-ve më 1 tetor të ulen në mënyrë të unifikuar me 2,40 lekë pa TVSH, duke vijuar uljen shkallë-shkallë deri në shtator 2011 me 0,58 lekë. Aktualisht çmimet e sms-ve në vend, sipas statistikave që zotëron AKEP, nga studimi i tregut që ka bërë, rezulton se tarifat tona janë 7 herë më të larta se ato të rajonit. Duke iu referuar studimit të AKEP, aktualisht përsa i përket sms-ve me pakicë për operatorin AMC, për klientët me parapagesë brenda rrjetit paguhet 9,85 lekë një sms, ndërsa drejt operatorëve të tjerë një sms kushton 14, 7 lekë. Kurse me kompaninë vodafone, një sms brenda rrjetit kushton mesatarisht 12 lekë, ndërsa drejt operatorëve të tjerë 10 lekë. Kompania Eagle mobile e ofron shërbimin sms- si brenda rrjetit dhe drejt operatorëve të tjerë me 12 lekë. Kurse krahasuar me tarifat që aplikohen në rajon, nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se ato janë 7 herë më të ulta se tarifat që aplikohen në vendin tonë nga kompanitë e telefonisë së lëvizshme për një sms. Në këtë mënyrë, duke iu referuar analizës së tregut të bërë nga AKEP, në Maqedoni një sms kushton nga 4,8 – 5,9 lekë pa TVSH, në Kroaci 0,35 – 0,4 lekë, në Mal të Zi nga 0,02- 0,035 lekë dhe Greqi/Itali 0,125 – 0,13 lekë. AKEP, gjykon se detyrimet rregullatore, që duhen vendosur në lidhje me shërbimin e terminimit në nivelin e shumicës për operatorët e rrjeteve të telefonisë së lëvizshme duhet të jenë: Detyrimi i Mosdiskriminimit, detyrimi i transparencës, detyrimi për akses dhe interkoneksion dhe përdorimi i përbashkët i faciliteteve të rrjetit, detyrimi për kontroll të tarifave dhe orientim në kosto. Sipas AKEP, kontrolli i tarifës së terminimit të SMS-ve në nivelin e shumicës, do te duhet të orientohen drejt kostos, pasi aktualisht AKEP ka rezultatet e modelit BU-LRAIC. Vendosja dhe aplikimi i kësaj mase rregullatore, rregullimi i tarifës me shumicë të terminimit të SMS-ve dhe orientimi në kostot BULRAIC, konsiderohet e justifikueshme, sepse pavarësisht të gjithë faktorëve të analizuar dhe të sjellë në vëmendje në analizën që ka bërë AKEP, shërbimi i terminimit te SMS-ve konsiderohet në një konkurrencë jo-efektive. Qëllimi kryesor i masave rregulluese për terminimin e SMS-ve është që të arrihet konkurrenca efektive në nivelin me pakicë dhe përfitime më të mëdha për përdoruesit. Nëpërmjet propozimit për vendosje nën-rregullim dhe orientimit në kosto të tarifës (me shumicë) së terminimit të SMS-ve, AKEP pret që reduktimi i tarifave të terminimit të SMS-ve, të shoqërohet apo ndjehet në reduktime të tarifave me pakicë për SMS-të.