E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni veror, rikthen vrasje të bujshme

Ardhja e emigrantëve, hesapet e lëna përgjysmë, grindjet e çastit por në disa raste edhe temperaturat e larta të verës, janë disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të vrasjeve gjatë sezonit turistik. Nga muaji qershor- korrik dhe gusht numërohen në blloqet e policisë së shtetit 39 të vrarë. Një shifër mjaft e lartë kjo duke përfshirë këtu edhe vrasje të dy- fishta.

Në tre muajt e verës, qershor- korrik- gusht, krimi brënda familjes mban vendin e parë, ku burri ka vrarë gruan apo edhe anasjelltas, si dhe babai ka vrarë djalin. Shkaqet e këtyre krimeve mbeten grindje të çastit apo edhe gjëndja e vështirë ekonomike. Por përvec kësaj nga ana tjetër, policia ka nisur hetimin, ka bërë kqyrje të vendit të ngjarjes dhe nga 39 vrasje, pothuajse të gjitha janë zbardhur, dhe autorët janë vënë pas hekurave. Për uniformat blu nuk ka qenë e vështirë identifikimi i autorëve, pasi duke qenë se vrasjet kanë qenë brenda familjes atëhërë edhe arrestimi i tyre ka qenë në kohë rekord.

Ndërsa vrasje të tjera të cilat kanë pasur si motiv larje hesapesh, policia e ka pasur të lehtë të skedojë autorin duke kërkuar nga e shkuara e viktimës. Por ajo që mbetet shqetësuese është rritja e numrit të vrasjeve në cdo sezon turistik. Edhe pse policia shpesh ka dalë me deklarata se ka marra masa për parandalimin e vrasjeve, shifrat tregojnë të kundërtën.
 

Kështu, në 90 ditë të verës janë vrarë 39 persona, ku në muajn qershor shënohen 8 viktima, në korrik 17 viktima, dhe në muajin gusht 14 të vrarë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›