Sfida e së majtës dhe kriza e lidershipit të PS
• Martin lekaQysh kur koalicioni i së majtës u riformatua pas ardhjes në pushtet të së djathtës, skepticizmi në funksionimin e këtij koalicioni ka qenë i pranishëm. Ky lloj skepticizmi gjer në dyshim, bazohet qoftë nga përvojat e mëparshme, qoftë edhe duke njohur gjithë rrjedhën e ngjarjeve në Partinë Socialiste pas ndërrimit të udhëheqjes së kësaj partie e ardhjes në të, të një sërë personazhesh, që nga kryetari Rama e gjer tek ata më të panjohurit e pa kurrfarë kontributesh në këtë forcë politike. Më në fund, si për të vërtetuar “ekuacionin” e të gjithë këtyre skeptikëve, koalicioni u shpërnda. Një tjetër grupim i së majtës pritet të jetë sfida e radhës e Ilir Metës, ish-kryeministrit socialist, i cilësuar si më i suksesshmi kryeministër i qeverive socialiste gjatë dy mandateve në pushtet. “Aliazhi” mes Metës dhe të majtës është po kaq i fortë dhe i vjetër sa demokracia në këtë vend. Duket se Ilir Meta ka filluar një sfidë të madhe, të dytën pas fitores së parë, kur vetëm pak kohë pas krijimit, partia e tij fitoi një elektorat ekspresionues dhe të paimagjinueshëm. Por, nuk është kjo çështja e diskutimit në këtë shkrim. E kishim fjalën për prishjen e një koalicioni, atë të së majtës. Koalicionet politike janë lidhje që bazohen në pikëpamje, filozofi e qëndrime politike të njëjta. Me rregulla reciproke, gjithashtu. Po pse u shua atëherë ky koalicion? Kush është përgjegjës për prishjen e tij? Askush nga Partia Socialiste nuk e ka dhënë ende një përgjigje. Nga selia e kësaj partie deri tani, është mjaftuar vetëm me disa retorika si nëpër dhëmbë, “kampione” e së cilës qëndron ajo e përdorur nga kryetari Rama, sipas së cilës, “LSI iu bashkua politikës së vjetër”?!... Kësaj i thonë, as më shumë e as më pak, por thjeshtë, t’i shohësh gjërat vetëm “bardhë e zi”, sindrom i vjetër autoritarist. Po pse u prish koalicioni? Pse nuk e thonë qartë në selinë e socialistëve? Në dokumentin e firmosur nga kryetarët e partive respektive, anëtare të koalicionit të së majtës, një ndër pikat kryesore është edhe ajo, sipas të cilës, “partitë do të kenë një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore”. Ja ku erdhëm edhe tek “burimi” që të sjell te shkaktarët e çarjes së fundit të koalicionit të së majtës. Reforma zgjedhore duhet të jetë shkaku. Prej kohësh, LSI, PAD e PDS, kanë kundërshtuar sistemin zgjedhor të propozuar prej arkitektëve të “rebuseve” të PS-së. Nuk po ndalem të analizoj sistemet, pasi personalisht, jam i paditur në këtë fushë dhe nuk më ngjallin asnjë kuriozitet ato që thuhen se “kemi marrë për shembull sistemin spanjoll apo portugez”?!... Sepse edhe pse nuk e di në detaje sistemin zgjedhor dhe sa ky i përshtatet Shqipërisë, për ta kërkuar këtë sistem do të ndalesha diku më afër, në Gjermani, për shembull! Por, le të vijmë tek ajo që thamë pak më parë, tek shkaktarët e prishjes së koalicionit. Në momentin kur eksponentët e PS-së kanë filluar bisedimet me ata të PD-së dhe kanë rënë dakord; në momentin kur për këtë sistem kanë patur vërejtje e objeksione, anëtarët e tjerë të koalicionit; që në këtë moment pra, marrëveshja dhe koalicioni ka pushuar së funksionuari, është prishur. Shkaktaren e këtij “divorci” të butë, nuk është e vështira ta gjesh (PS-në), nëse gjithnjë i referohesh pikës që përmendëm më lart, e ku në mënyrë taksative theksohet se të gjitha partitë e koalicionit duhet të kenë qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore.Por, kjo është njëra anë e problemit. Çështja është më e thellë se kaq dhe kjo që po ndodh nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Përkundrazi, “qielli” socialist prej kohësh është “i vranët”. Por, më shumë se krizë e socialistëve, kjo është krizë e lidershipit të PS-së; krizë e identitetit. Në PS duket se ka një amalgamë vlerash dhe antivlerash, besimi dhe dyzimi, qëndrueshmërie dhe lëkundjeje. Shkurt, një politikë pa komfort. Nëse në PS propagandojnë me të madhe “një anëtar, një votë”, atëherë do të duket kontradiktore të flasësh për lista të mbyllura. Nëse kryetari socialist “dialogon me Shqipërinë” (a nuk duket pak si puna e Revolucionit Kulturor Kinez(?!), në emër të cilës filozofi apo ideologji bën thirrje për bashkimin e të majtëve e të të djathtëve? Ruajna Zot ku do të ishim, nëse do të bashkoheshim edhe njëherë të gjithë në një parti?!... Në politikë, parimet dhe qëndrimet nuk mund të ndërrohen si ngjyra e pallateve. Në politikë koherenca duhet të jetë virtyt. Këtu duhet të kërkohen nga lidershipi i socialistëve edhe shkaqet e prishjes së një koalicioni, i cili, në rastin më të keq, do të vazhdojë ta lërë të majtën në opozitë e kryetarin e PS-së, për paradoks, në pushtet?!...