E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosova, Sali Berisha nuk e mbështeti, ndërsa Nano urdhëroi shtypjen e UÇK-së”

• Janë sërish ata dy britanikët, Miranda Vikers e Xhejms Petifer, autorët e librit “Çështja Shqiptare, riformësimi i Ballkanit”, të konceptuar përzishëm nga shqiptarët.Ferdinand DervishiBotuar në 2007-ën, në anglisht, përkthyer në të njëjtin vit e publikuar në kohë rekord edhe në versionin shqip, linja e librit që trajtonte zhvillimet e furishme që sollën ngjarjet e dhunshme të vitit 1997 e të tjerat më pas, tringëlloi si muzikë çlodhëse në veshët e opozitës aktuale politike në Shqipëri, duke bërë efektin e kundërt për idhujt e pozitës. Por këtë radhë analistët e njohur të historisë së Ballkanit i ka sjellë në trojet shqiptare shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dhe për këtë temë, që e kanë ndjekur nga afër gjatë 20 viteve të fundit, duket kanë shumë opinione për të ndarë. Si gjithmonë janë krejt lakuriq në mendime. I përgjigjen, madje drejtpërdrejt dhe pa kurrfarë hezitimi, edhe pyetjes së thatë për meritat e Berishës apo Nanos për shpalljen e pavarësisë. Por gjithsesi, përshtypja më e fundit e udhëtimit të tyre nga Rinasi në Tiranë dhe më tej, ajo që kryeqyteti jep për të testuar sa u përket ndryshimeve në vite, nuk janë një pjesë e parëndësishme e opinionit të tyre. Për fat të mirë dy britanikët, për çdo temë të hapur ndajnë mendim të njëjtë dhe nuk është e nevojshme t’i pyesësh secilin veçmas. Tundin kokën në shenjë pohimi për çdo mendim të thënë dhe në ndonjë rast vetëm sa saktësojnë thëniet e tjetrit.Zotërinj, nisur për krahasim nga opinionet dhe të dhënat në librin “”Çështja Shqiptare, riformësimi i Ballkanit”, që bazohen kryesisht mbi ngjarjet e viteve 1997-1999, cilat janë ndryshimet më të dukshme që shihni në Shqipërinë e 2008?Nuk ka krahasim mes vitit 1997 dhe vitit 2008. Situata është e qëndrueshme dhe dy-tre vitet e fundit s’kanë qenë keq. Porse shohim se vazhdon një polarizim i skajshëm i shoqërisë, shohim shumë njerëz të varfër pa asnjë mënyrë zgjidhjeje të fatit të tyre. Në këtë periudhë e gjithë bota është përfshirë në një krizë ekonomike, ndërkohë që Shqipëria është një vend që nuk eksporton thuajse asgjë. Përkundrazi gjithçka importohet. Inflacioni gjithashtu është i dukshëm dhe i rrezikshëm. Nga ana tjetër vendi është shndërruar në një kantier ndërtimi. Të gjithë e dinë se ndërtohet kryesisht me para të marra borxh, por kjo është e rrezikshme. Që të ndërtohet duhet të prodhohet. Pra, do ishte më mirë që shqiptarët të prodhonin e të eksportonin për shembull patate, qepë, apo edhe të tjera produkte dhe pasi të realizonin këtë, të ndërtonin me të ardhurat e krijuara. Kjo politikë që është duke u ndjekur na duket e gabuar. Ndërsa shkuarja te, për shembull, importi i patateve apo qepëve nga vende të tjera, sikur kjo tokë të mos i prodhojë dot, është i papranueshëm. Hudhrat vijnë nga Kina? Kjo është thjesht qesharake.  Ardhur sërish në një pyetje krahasuese, si ju duket roli aktual i medias në Shqipëri?Nuk është e vendosur në një pozicion të lavdërueshëm dhe duhet të paktën të korrigjojë objektivin. E shohim të përqendruar kryesisht në personalitetet e politikës dhe te sensacionet. Por mendojmë se shumë më i rëndësishëm se kaq është pasqyrimi i jetës së shtresave më në nevojë, më të varfra të popullsisë. Do të ishte më mirë që në Tiranë të zbrisnin sa më shumë reportazhe me këtë temë. Sa i përket pasqyrimit të politikës, roli i medias në këtë moment mendojmë se nuk duhet të fokusohet në kritikën qoftë ndaj Sali Berishës, apo Edi Ramës. Do të ishte më mirë që mediat të ndërtonin një qëndrim më kritik për mënyrat apo strategjitë e mundshme të integrimit të Shqipërisë në Evropë. Së pari, mediat është mirë t’i shohin këto struktura politike të Evropës si jomagjike. Së dyti, s’është Evropa ajo që zgjidh problemet. Shqiptarët është mirë të mësojnë ta shohin te vetja dhe te përpjekjet e tyre zgjidhjen e problemeve. Natyrisht që nuk mund të mohohen miqësia e mbështetja aktuale që janë duke dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.Ju e keni shprehur mendimin tuaj për ngjarjet e vitit 1997 në një libër të suksesshëm. A është e mundur të na përmblidhni me pak fjalë se ku ishte thelbi, apo kujt i bie barra e fajit për këtë situatë që Shqipëria kaloi?Trazirat dhe përmbysjen e madhe të vitit 1997 e sollën një varg shkaqesh. Me pak fjalë paratë dhe institucionet e dobëta. Politika kishte arritur në një kulm, ku shteti autoritar nuk durohej më nga populli. Natyrisht që shkëndija e parë ishin zgjedhjet e falsifikuara parlamentare të vitit 1996. Mendojmë gjithsesi se për ngjarjet e dhunshme të vitit 1997 të dy krahët e politikës ishin fajtorë, pasi bashkë me gabimet e qeverisë kishte edhe gabime paralele të opozitës jokonstruktive. Gjithsesi faji zyrtar i mbetet ish-Partisë Demokratike në pushtet. Po për tetë vitet e qeverisjes së socialistëve ç’mendim ndani?Në total, gjatë tetë viteve, pati njëfarë progresi. U rivendos autoriteti i shtetit, u konfiguruan edhe më të shëndosha institucionet e tij. U kthye stabiliteti, rendi, u hoqën kioskat. Pastërtia impakton një psikologji pozitive. Por problemi kryesor ishte se Nano ishte pronë e Greqisë dhe politika juaj e jashtme kontrollohej prej këndej. Për më keq korrupsioni, udhëtar përgjatë këtyre tetë viteve, faktikisht minoi pothuaj të gjitha këto arritje.  Ju thatë se keni ardhur në Shqipëri me rastin e pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas 17 shkurtit shohim të vënë në garë shumë personazhe politikë, që mburren të kenë bërë shumë për arritjen e kësaj dite. Duke bërë llogari se e studioni çështjen shqiptare prej 20 vitesh, si i gjykoni kontributet e Berishës e Nanos me këtë çështje?  Berisha ka ndryshuar nga pozitat fillestare. Por nuk duhet të harrohet se ai gjatë kohës që ishte president, në vitet 1992-1997, nuk ka qenë në pozita të shëndosha përballë çështjes së Kosovës. Ishte një politikan që e bashkoi qëndrimin e vet me politikën greke dhe britanike të së njëjtës periudhë. Më saktë ai pranoi pa bërë fjalë presionin ndërkombëtar për të heshtur, një situatë politike e kërkuar pas marrëveshjes së Dejtonit. Në këtë periudhë Berisha ishte më pranë idealeve pacifiste të Rugovës, duke minuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) deri në momentet e fundit. Nuk mund të fshihet se, për shembull, në vitin 1993, heroi i Kosovës, Adem Jashari, u arrestua dhe u burgos në Tiranë. Nga ana tjetër Nano u vendos kryesisht më mirë në pozicion, të paktën prej faktit se përgjatë qeverisjes së tij UÇK-ja ekzistonte. Porse politika e Nanos ishte kontradiktore. Në një rast ai i kërkoi Neritan Cekës, ish-ministrit të Brendshëm, të shtypte UÇK-në. Ceka e pranon këtë moment në një intervistë që i kemi bërë, por ai sigurisht që nuk veproi sipas urdhrit të eprorit të vet. Kjo ishte një periudhë, kur kosovarët e mërguar në Shqipëri ankoheshin dhe përsërisnin histori të qëndrimit armiqësor ndaj çështjes kosovare të ministrave të qeverisë së Nanos nën ndikimin grek, si Paskal Miloja.Sipas opinionit tuaj, ngjarjet e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhuna në Beograd, faktori rus e të tjera, a mund të shpejtojnë pranimin e Shqipërisë në NATO?Situata në Beograd pritej, pra ishte parashikuar, prandaj nuk mendojmë se kjo mund të jetë një nga shkaqet që mund të nxitojnë veprimet për pranimin e Shqipërisë në NATO. Mendojmë se standardet e ushtrisë shqiptare janë kryesore. Ndërkohë që është shumë e rëndësishme edhe mundësia e pjesës së kontributit që shteti shqiptar duhet të derdhë në financat e këtij organizmi ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›