Shkëlzen Berisha hap studio avokatie
TIRANË- Suksesi i shpejtë i Argita Berishës (Malltezit), e cila për tre vjet ka krijuar një nga zyrat më të suksesshme të avokatisë në Shqipëri duket se ka bindur edhe vëllanë e saj të vogël që të bëjë të njëjtën gjë. Djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzeni, ka hapur një zyrë avokatie si e të motrës me shpresën që do të ketë të njëjtin “fat”. Zyra juridike e hapur nga djali i kryeministrit, deri më tani thuajse është e fshehtë. I vetmi dokument që vërteton ekzistencën e kësaj zyre juridike është regjistrimi në zyrën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Në maj të vitit të kaluar, Shkëlzen Berisha ka deklaruar nisjen e biznesit të tij, dhe pse një gjë të tillë kishte deklaruar kohë më parë.
Zyra ligjore
Të dyja studiot ligjore zyrtarisht ndodhen në të njëjtën rrugë. Në fakt, rruga e Barrikadave në kryeqytet, në krye të së cilës ndodhen zyrat e ”Legal Loë” prej tre vitesh është kthyer në zonën më të frekuentuar, kryesisht nga biznesmenë. Përgjatë tre vjetëve të aktivitetit të saj në Shqipëri Argita Berisha ka arritur të ketë klientë bizneset më të suksesshëm. Pikërisht në këtë rrugë ndodhet edhe adresa e deklaruar nga Shkëlzen Berisha për studion e tij ligjore. E hapur në maj të vitit 2007, djali i kryeministrit ka të deklaruar si adresë të zyrës së tij ligjore vilën nr 1. Hapjen e biznesit të tij, djali i kryeministrit e ka bërë me dije që pas largimit të tij nga drejtimi i një prej kompanive të telefonisë celulare. Në fillim të vitit të shkuar pa shumë bujë, ashtu siç edhe u vendos në drejtim, Shkëlzen Berisha i ka dhënë lamtumirën postit që mbante prej pak muajsh në shoqërinë e operatorit të tretë celular në vend. Fill pas largimit të tij nga drejtimi i kompanisë u përfol se Shkëlzeni bashkëpunonte me studion ligjore të Laura Pustinës, bashkëshortes së drejtorit të Drejtorisë së Rrugëve, Andi Toma.
Fillimet
Të njohur të Shkëlzenit tregojnë se në fillim të vitit të shkuar, djali i kryeministrit punonte në këtë studio ligjore, drejtuesit e së cilës, Laura dhe Andia Pustina, janë mikesha me të motrën, Argitën. Kjo miqësi i ka krijuar edhe siguritë në punë drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma, bashkëshortit të Laurës. Edhe pse ishte nën hetim dhe tashmë i pandehur për abuzimet në rrugën “Rrëshen-Kalimash”, Andi Toma u emërua drejtor i rrugëve. I kontaktuar nga “Shekulli”, djali i kryeministrit ka mohuar çdo lidhje me studion ligjore “Pustina”. “Unë nuk jam punësuar dhe as nuk kam aksione në këtë studio ligjore. Jetën time profesionale dhe private nuk preferoj ta ndaj me median”- ka deklaruar Shkëlzen Berisha. Por koincidencë apo jo, krijimi i studios ligjore të Shkëlzen Berishës korrespondon me kohën kur u përfol bashkëpronësia e tij në studion “Pustina”.
Në fakt është e kotë që në rrugën e Barrikadave në kryeqytet të kërkosh studion ligjore të Shkëlzen Berishës. Megjithëse adresa është e shkruar në të zezë mbi të bardhë, kërkimet në këtë rrugë janë të destinuar të dështojnë. Në rrugën e Barrikadave nuk ekziston asnjë “Vilë nr 1”, adresë me të cilën djali i kryeministrit ka pasqyruar vendndodhjen e zyrës së tij në dokumentet e QKR-së. E vetmja vilë që ndodhet në këtë rrugë tashmë është shndërruar në lokal. Ndërsa për tregtarët e vegjël apo edhe banorë të lagjes, e vetmja zyrë kryeministrore është ajo e Argita Berishës. Këdo që pyet në këtë zonë, të adresojnë drejt katit të 9-të të pallatit të parë në hyrje të rrugës së Barrikadave. Askush nuk ka dëgjuar apo parë që Shkëlzen Berisha të ketë zyrën e tij në këtë lagje. Në fakt, hapja e aktivitetit të tij privat duket se ka qenë një dëshirë e kahershme e Shkëlzen Berishës. Për gazetën ”Shekullin” djali i kryeministrit disa herë ka thënë se ka aktivitetin e tij, për të cilin edhe përfunduar studimet e larta. Referuar dokumenteve, duket se kjo dëshirë e djalit të kryeministrit është realizuar fill pas largimit të tij nga kompania e telefonisë. Për një kohë të gjatë, Shkëlzen Berisha nuk ka jetuar në Shqipëri. Fill pas përfundimeve të studimeve të larta, ai është larguar jashtë shtetit për tu rikthyer në atdhe sapo i ati, vjen në krye të qeverisjes së vendit. Menjëherë djalit të kryeministrit i gjendet një post drejtues në kompaninë e tretë celulare në vend, detyrë të cilën jep dorëheqjen sapo privatizohet Alb-Telecom. Emërimi i dyshimtë në krye të kompanisë celulare nuk ka qene i vetmi fakt i përfolur për djalin e kryeministrit. Pas tragjedisë së Gërdecit në mediat është përfolur implikimi i tij në aferat e fabrikës që solli vdekjen e 26 personave dhe rrafshoi një fshat të tërë.
Tek studio ”Pustina”
Lidhjet e Shkëlzenit me studion ligjore “Pustina” po aq të vjetra dhe të forta sa ç’kanë dy motrat Pustina me vajzën e kryeministrit. Andia Pustina ka mbajtur pozicionin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Albtelekomit, para se ky të shitej tek turqit e “Çalikut”. Falë këtij posti për disa kohë Andia ka qenë eprore e drejtorit juridik, Shkëlzen Berishës. Por të gjitha këto zëra që fliten në rreth të ngushtë njerëzve që njohin djalin e kryeministrit, mohohen në mënyrë kategorike nga Shkëlzen Berisha.
Largimi nga puna i djalit të kryeministrit
Në fakt, askush nuk e di saktësisht kohën kur Shkëlzen Berisha ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit Juridik të kompanisë së telefonisë celulare. I vetmi fakt që dihet është që Shkëlzen Berisha nuk është dukur më në zyrë që prej fillimit të vitit 2007. Shkëlzen Berisha ka argumenton motivet e largimit nga një post kaq i rëndësishëm në këtë kompani. Në një prononcim për “Shekullin”,djali i kryeministrit thotë se është larguar sapo në dyert e kompanisë është paraqitur “pronari” i ri. Mesa duket, djali i Berishës e ka parë veten të tepërt në këtë kompani, në kushtet kur operatori i tretë po drejtohej nga turqit. “Kam dhënë dorëheqjen nga detyra ime në kompani, në momentin e ardhjes së investitorit turk. E kam bërë këtë për t’i dhënë mundësi kompanisë që ka marrë menaxhimin të organizojë punën sipas mënyrës së saj”,- është shprehur për “Shekullin” djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.