E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e brendshme të qeverisjes me 2012

TIRANE - Pasi folëm tangent në një shkrim të mëparshëm për arritjet dhe sfidat e politikës së Jashtme të institucioneve të shqiptarëve në Ballkan, ndoshta do të ishte me vend një koment mbi sfidat e politikës së brendshme të tyre. Natyrisht që këto 2-3 vjet do të jenë një fazë tranzitore e rëndësishme për shqiptarët drejt integrimit të tyre politik në rajon. Lëvizje politike si Vetëvendosja në Kosovë dhe AK në Shqipëri, duken se do të jenë shumë shpejt kandele për të ecur më shpejt në këtë drejtim. Ndoshta personalitete të rëndësishme të tranzicionit si z.Berisha dhe z.Nano, nuk do të jenë figura të gjetura për këto shtigje të reja. Këta të dy, në ndryshim nga personalitetet e tjera rajonale të tranzicionit të çmontimit të Jugosllavisë si Tuxhman, Izetbegoviç, Milosheviç, Gligorov, Rugova etj, janë të vetmit personalitete që jo vetëm janë gjallë fizikisht, por edhe aktivë e politikisht me peshë te shqiptarët. Detyra e tyre ka qene gjate këtyre 20 vjetëve, ndoshta edhe pa e ditur ata vetë, luajtja e një roli pengues në rënien e gurëve të dominosë në flakën e një lufte të gjerë e të pa menaxhueshme ballkanike, sidomos në dhjetëvjeçarin 1991-2000. Shumica e këtyre personaliteteve kanë vdekur me kancer. E sigurt nuk është vdekja e Milosheviçit i cili për hir të së vërtetës, së bashku me Arkanin dhe Tadiçin janë tre personalitete që kanë kontribuar në krijimin e eufemizmit antishqiptar, “Shqipërisë së Madhe”. Dy të parët me veprimet e tyre ekstreme (këtyre nuk ju është hapur arkivoli gjatë ceremonive mortore) sollën intervenimin e NATO-s në pranverë të 1999-ës dhe i treti është personaliteti më i lartë serb që deklaroi se për Kosovën duhej të kishin biseduar me Tiranën, çka do të thotë se shteti serb, pas 100 vjetësh, qysh nga koha e Luftrave Ballkanike kur i ndërsyen dhe mikluan shqiptarët gjoja si aleatë të tyre kundër xhonturqve, e pranon se Kosova (sipas tij, natyrisht pa Mitrovicën veriore) është një krahinë e Shqipërisë. Dhe më pas, shumë shpejt, do ti vijë radha Maqedonisë për të ngrënë bisturinë dhe ndarjen e saj midis shqiptarëve dhe bullgarëve. Këto do të jenë sfidat më të mëdha të shqiptarëve në vitet e ardhshme dhe pikërisht për këtë arsye, mendoj se as z.Berisha mbas zgjedhjeve të 2013-ës e as z.Nano nuk mund të jenë protagonistë e lojtarë të Elitës gjatë shfaqjes së krijimit të Shqipërisë së Madhe. Mendoj se këtë akt do ta luante si president një lojtar jo i rëndësishëm i tranzicionit i cili do të ishte përfaqësues i shtresave të goditura nacionaliste si dhe me konfesion kristian perëndimor (katolik, meqenëse këtu s’ka komunitet tradicional protestant), që të ishte përfaqësues shpirtëror i kauzës së shteteve që e kanë dashur “Shqipërinë e Madhe” sipas katër vilajeteve, me qendër në Vjenë dhe në Romë (njëfarë soji). Natyrisht që një figurë e tillë mund të ishte znj. Jozefina Topalli. Sfida e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pas disa muajsh, natyrisht që do të ishte një sfidë e vështirë, edhe pse teknikisht e realizueshme me një maxhorancë të thjeshtë në raundin e fundit, pa qenë nevoja për 84 vota. Zgjedhja e znj.Topalli, e cila këto muaj ka nevojë për një moderacion e ndryshim imazhi në krye të Kuvendit, do të gjente mbështetje edhe nga Vatikani, BE i krishterë, por do të merrte një mbështetje edhe nga CFR dhe Scull and Bones në SHBA apo edhe RIIA në Londër, për shkak se do ti krijohej mundësia e ngjitjes me lehtësi në krye të PD-së të delfinit të tyre, z.Basha. Ardhja e Kryebashkiakut Basha në verën e vitit që shkoi, pas një stanjacioni të stërzgjatur me tre mandate të z.Rama në krye të Bashkisë së Tiranës, ishte një ngjarje e dobishme dhe fushata e shkëlqyer e z.Basha e mbështetja e vlefshme e ambasadorit Arvizu në favor të ndryshimit, krijoi një precedent të dobishëm që duhet përsëritur edhe me qeverinë dhe nevojën e tranzicionit të domosdoshëm të saj më 2013-ën. Gjysmëheshtja dhe aprovimi indirekt i z.Rama për zgjedhjen e kryetarit të ri të KLSH-së si një personalitet i djathtë (z.Bujar Leskaj me mandat 7 vjeçar), nënkupton tendencën e ndryshimit të Qeverisë në zgjedhjet e ardhshme, pasi drejtuesi i saj lipset nga një forcë e kundërt me forcën qeverisëse. Natyrisht që edhe sikur z.Berisha ti kishte kapacitetet personale fizike dhe mundësitë demokratike për një mandat tjetër qeverisës më 2013-2017, ai do të tregohej me një zgjuarsi mediokre dhe do të hidhte në ruletën e kumarit arritjet thuajse të lavdërueshme të derisotme, nëse nuk do të largohej vetë nga politika, pas eksperiencës së rënies në gropën e zezë të vitit 1997, që për hir të së vërtetës ishte një dështim ose orkestrim i Bankës Botërore dhe FMN-së, fakt të cilin turmat e irrituara në Toskëri nuk e kuptonin dot dhe PS, e cila doli në krye të tyre, nuk ja u tregoi të vërtetën protestuesve dhe thjesht pranoi rolin e aktorit të të njëjtit regjisor, pas dy takimeve në Romë e Bruksel më 1997, kur z.Nano u tregua një nxënës më i zellshëm se z.Berisha në rolin e tij. Z.Berisha është një figurë politike historike komplekse dhe që ka lenë vulën e tij në historinë e këtyre 20 vjetëve. Por ai ka një defekt të dukshëm, në dallim nga z.Nano, duke qenë i pangopur me pushtet dhe përfitimet e tij. Por pasi kaloi greminën e ’97-ës, z.Berisha i ka mbushur mendjen vetes se ai e përballon çdo teprim e kësisoj çdo sfidë në një përballje ndaj popullit të vet, gjë e cila mund ta vendosë atë dhe partnerët ndërkombëtarë, në një rast hipotetik nëse ai do ‘fitonte’ një mandat të tretë, në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në një vend të NATO-s. Në një rast të tillë të gjitha vështirësitë objektive të shqiptarëve do të identifikoheshin me z.Berisha e z.Nano (në se edhe ky do të zgjidhej hipotetikisht President) dhe në një rast të tillë 21 janari dhe 14 shtatori do të dukeshin si ‘party’ përballë asaj që mund të ndodhte. Këta të dy dhe ndërkombëtarët ndoshta e kanë kuptuar se epoka e tyre e sundimit politik ka marrë fund. Z.Nano mendoj se ka kryer një gafë të rëndë duke shpallur kandidaturën e tij për President të Republikës, në fund të erës së tranzicionit dhe në prag të bashkimit politik të shqiptarëve, si një politikan i formuar dhe edukuar në një mjedis që funksiononte sipas vendimeve që e fusnin Shqipërinë në anën komuniste e prosovjetike të Perdes së Hekurt. Madje këtë duhet ta kuptojë edhe z.Berisha. Të dy këta kanë qenë të zgjedhurit e diktatorit të fundit, z.Alia, për të kryer tranzicionin me sa më pak dhimbje për komunistët. Këtë tashmë e dinë të gjithë. Për ngjarje të mëdha duhen njerëz të rinj. Fytyrat e tyre të lodhura nuk japin shpresë dhe optimizëm. Dhe madje këtë e dinë mirë edhe ndërkombëtarët të cilët duan stabilitet afatgjatë në Shqipëri. Qeverisja e z.Berisha, me gjithë gafat e rënda dhe politikën amatoreske të z.Rama me 2009-2011, ka shumë oscilacione dhe ajo ngjan me një matricë. Qeverisja 8- vjeçare socialiste (1997-2005) e kishte ekspozuar Shqipërinë nga ana e neobizantinizmit dhe solli një korrupsion shumë të gjerë e në modë. Por kjo qeverisje, duke ndërruar shpesh shumë nga magjistratët e saj ndër dikastere dhe shpurat e pazvanëve të tyre, bëri një farë shpërndarje në të ardhurat dhe si rezultat mbajti edhe shpenzime pak më të gjera, duke i dhënë frymëmarrje edhe prodhimit vendës, i cili edhe ky mbahej gjallë nga një mishellë që kishte si përzierje edhe të ardhurat nga korrupsioni. Kurse me qeverisjen e pandryshueshme të ekipit demokrat nga 2005-sa e deri më sot, u luftua gjerësia e korrupsionit por u rrit së tepërmi thellësia e tij në qendër, te një grup shumë i vogël njerëzish. Statizmi 7- vjeçar në emërimet e larta të Qeverisë Berisha nuk lejon dinamizëm në shpërndarje të të ardhurave dhe në shpenzime, çka po sjell më afër krizën e brendshme ekonomike, e cila stimulohet edhe nga kriza e jashtme. Dikush nga demokratët e lartë mund të thotë se kemi një shtet ligjor dhe s’ka ekipe përfitonjësish pranë pushtetit të tyre. Vërtet? A e beson këtë kush në Shqipëri? Po nga ndërkombëtarët? Nëse jo, kjo do të thotë se ka një përqendrim të madh të pushtetit dhe ekonomisë në duart e një klani shumë të ngushtë politiko-mediatik të cilët po bëjnë çfarë duan, madje siç janë akuzuar nga opozita edhe vrasje mafioze dhe patjetër që këta duhen shpartalluar si organizëm me çdo mjet nga Elita, pasi një ditë do tu kundërvihen edhe atyre dhe do të prishin imazhin e sistemit demokratik; edhe pse, siç thamë, këto 5 vjet ka pasur shumë arritje nga Qeveria dhe sidomos nga roli dhe shembulli personal i liderit, z.Berisha. Natyrisht që edhe në demokraci ka vend për disiplinë, një lider të fortë që të jetë i pari mes të barabartëve. Edhe pëllumbat, edhe pulëbardhat, edhe bletët, edhe harabelat kur udhëtojnë vendosen në formë “V-je” dhe kanë nevojë për një prijës; madje është më mirë një prijës i keq sesa një anarshi. Herë për tu sharë e herë për tu lavdëruar, z.Berisha po e mbyllë ciklin e tij. Tani duhen prijës të rinj. Z.Berisha do të mbahet mend, midis të tjerash, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri, e cila këto 4 vjet ka bërë e po bën shumë ndryshime pozitive; për mbrojtjen e shtetit më 21 janar 2011 nga veprimet e pamenda të opozitës; nga këmbëngulja për ta integruar Shqipërinë në organizatat euroatlantike dhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në perëndim; nga përpjekjet titanike për tu ruajtur nga sëmundja e fqinjëve në menaxhimin e borxhit publik; nga përpjekjet për nxitjen e prodhimit vendës, sidomos në ngritjen e peshës së sektorit bujqësor; në menaxhimin e sigurimin e popullsisë me energji elektrike; në modernizimin e sistemit informues tenderues e të ankandeve nëpërmjet Agjencisë së Prokurimit Publik, etj. Por dy partitë kryesore qeverisëse nuk e kanë fituar betejën me korrupsionin galopant në disa dikastere; nuk kanë menaxhuar dot rendin me vrasjet e shumta të pazbuluara të shumë personave publikë (sidomos vrasja e një gjyqtari në Vlorë dhe e një punonjësi të SHISH në Durrës); kanë mbajtur qëndrime prej lakeu përballë shtetit grek për çështjen e kufijve ujore; nuk kanë mbajtur një qëndrim reciprok me shtetin maqedonas i cili hera-herës sillet me shumë arrogancë ndaj shqiptarëve; po kështu edhe me shtetin grek kanë bërë tolerime për çështjen e dy varrezave dhe skandalin e Kosinës. Ndërsa porsa i përket futjes në BE, kjo më shumë se sa me standardet është e lidhur me të gjithë rajonin: kur të zgjidhet çështja shqiptare dhe serbe (në lidhje me bashkimin me Republika Srpska-n dhe ndoshta Mitrovicën veriore e lëshimin e Luginës së Preshevës) në Ballkan, atëherë do të hyjnë në BE shtetet e mbetura jashtë saj aktualisht. Dhe natyrisht, ka gjasa që ndarja paqësore e Maqedonisë do të shënojë futjen e të gjithë Ballkanit në BE. BE ka qenë një aspiratë e vjetër e Napoleonit, Aleksandrit të Parë romanov, Hitlerit dhe Elitës plutokrate që drejton sot perëndimin. Krijimi i saj po realizohet prej kësaj të fundit si orkestruese e përfituese sipas axhendës së Albert Pike-s dhe Mazinit qysh në fund të shekullit të 19-të dhe nuk ka të bëjë shumë me dëshirën e serbëve a të shqiptarëve apo të politikanëve të tyre.
(er.nu/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›