E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos: Vija ime e kuqe, është shpëtimi i vendit

ATHINE - "Vija ime e kuqe është shpëtimi i vendit", nënvizoi kryeministri Lukas Papadhimos në mbledhjen e këshillit të ministrave, gjatë së cilës u miratua unanimisht projektligji i ministrisë së financave, ku përfshihen rregullime të Programit Afatmesëm, në prag të raundit të ri të inspektimit nga Trojka. 

Papadhimos iu referua çeljes së negociatave me trojkën në mesin e janarit, për krijimin e "një programi kredibël të përshtatjes financiare për trevjeçarin 2012-2015", duke theksuar se "nga finalizimi i suksesshëm i këtyre negociatave dhe e marrëveshjes së re të kredisë, varet plotësisht vazhdimi i financimit të vendit, mbështetja e ekonomisë dhe e sistemit bankar. Varet gjithashtu edhe marrëveshja për reduktimin e borxhit publik në kuadër të pjesëmarrjes së sektorit privat (PSI). Asnjë marrëveshje nuk mund të qëndrojë e vetme, njëra presupozon tjetrën", theksoi kryeministri. 

"Nëse e realizojmë me sukses misionin tonë, do të mund të themi se vendi fillon të shkelë në terren të qëndrueshëm", u shpreh më tej Papadhimos, duke përfunduar se "për mua vijë e kuqe është shpëtimi i vendit dhe garantimi i një të ardhmeje të sigurtë për qytetarët. Ky është misioni i kësaj qeverie dhe këtij misioni duhet t'i shërbejmë me çdo fuqi që disponojmë". 

Sipas burimeve qeveritare, është shumë e rëndësishme dispozita për liberalizimin e transporteve rrugore, që u miratua po ashtu unanimisht në pikat kryesore, ndërkohë që ka marrëveshje midis partive për të finalizuar menjëherë edhe detajet e mbetura. 

Siç u tha, nuk ekziston më periudha tranzitore për liberalizimin e këtij sektori; dispozita do të dorëzohet të martën në parlament, ndërsa nuk është vendosur ende nëse do të votohet me procedurën e "emergjencës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›