E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfidat e reja, në fazën finale të privatizimit

Disa ditë më parë, Prof.Dr. Sali Berisha, në një takim lidhur me procesin e privatizimit në vendin tonë, e cilësoi vitin e shkuar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por kërkoi që të kompletohej procesi me privatizimin e të gjitha aseteve publike, duke synuar kështu rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri, në mënyrë që vlerat e krijuara nga ky proces të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar…dhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë. Ky formalizim i mëtejshëm i privatizimit si një pjesë strategjike e reformave është i detyruar në ekonomitë drejt një përfundimi të një tranzicioni të plotë, duke marrë parasysh dobësitë në sistemin e kontrolleve ligjore. Në programin e privatizimit, hapa të guximshme janë hedhur për ta përfunduar procesin, dhe në fazat e ardhshme janë projektuar hapa të tjerë për të minimizuar mundësinë për korrupsion. Prof.Dr.Berisha theksoi se “Armiku numër një i privatizimit është korrupsioni…. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe”.
Le të mundohemi të bëjmë një reflektim mbështetur në citimet e mësipërme, me situatën aktuale në lidhje me asetet vendore. Më parë duhet thënë se qeverisja lokale në një vështrim të përgjithshëm, është më lehtë e prekshme ndaj korrupsionit ne këtë drejtim, sepse ndërveprimet midis individëve privatë dhe zyrtarëve shtetërore janë në nivel më të madh afërsie. Një aspekt i ndjeshëm, që duhet të tregohet shumë kujdes, i lidhur me qeverisjen lokale, është sot mungesa e vullnetit (apo një vullnet i gabuar) për të privatizuar kryesisht ndërtesat në nëntokën tashmë të njohur ligjërisht si private. Po e shpreh më qartë citimin e mësipërm.
Ka raste kur njësitë vendore (gjithmonë kur prona është transferuar nga pushteti qëndror në atë lokal) japin me qera ambientet e institucioneve të tyre, psh. ndërtesa e bashkisë, për t’i kthyer në lokal shërbimi bar-kafe, dhe diku tjetër mbajnë në zotërim në pronësinë e tyre, me pretekse të ndryshme, ambiente të pajustifikuara që nuk janë të domosdoshme në shërbim të komunitetit, dhe kështu nuk krijojnë hapësirën dhe mundësinë për të privatizuar këto objekte në favor të pronarit të tokës. Arsyeja është e qartë; nuk shprehin vullnetin dhe nuk favorizojnë pronarin e ligjshëm të tokës që ka të drejtën e parablerjes. Ky veprim të lë shteg të mendosh se presin një moment për të vepruar në mënyrë të kamufluar për të favorizuar individë të tjerë të paligjshëm. Drejtues të tillë të administratës publike vendore duhet të kenë parasysh se Shqipëria ka qenë një nga ekonomitë më të shtetëzuara në Europë ku pothuajse e gjithë prona private ishte e çrrënjosur. Për këtë arsye, privatizimi nuk është konsideruar thjesht si një transferim të drejtash, por njëkohësisht si një mënyrë e rikthimit tek njerëzit, e të drejtave të mohuara për një kohë të gjatë. Ky proces privatizimi ka përfshirë dhe vazhdon të përfshijë çdo gjë që shteti e konsideron si pronë të tij, domethënë, tokën, ndëtesat, shërbimet etj... .
Po përmbledhim pak histori; duke filluar prej 2001, qeveria e shqiptare filloi transferimin e pronave shtetërore për përdorim ose në pronësi të Njësive të Qeverisjes Vendore. Ligji nr.8744 ‘Për transferimin e pronave shtetërore të paluajtshme’, përcakton hollësisht tre fazat e procesit të transferimit: faza e parë - aprovimi i listës së inventarit të pronave publike të paluajtshme nën juridiksionin territorial dhe administrativ të Njësive të Qeverisjes Vendore; faza e dytë - aprovimi i listës paraprake të pronave publike të paluajtshme për transferim nën pronësinë e Njësive të Qeverisjes Vendore dhe faza e tretë - aprovimi i listës finale të pronave publike që do transferohen në pronesi ose përdorim pranë Njësive të Qeverisjes Vendore.
Ligji i sipërpërmendur i lejon qeverisë qendrore të transferojë asete tek qeveritë lokale me kufizime të përmendura në “Aktin e transferimit”. Asetet mund të transferohen në pronësi ose vetëm në përdorim në favor të qeverisë lokale. Në rastet kur prona është transferuar në pronësi, qeverisja qëndrore mund të vendosë kufizime mbi ndryshimin e gjendjes së pronës, ose të kufizojë shitjen e pronës, pasi qeverisja qëndrore monitoron përputhshmërinë e Njësive të Qeverisjes Vendore dhe ka të drejtë të ndërhyjë kur vëren mospërputhje dhe shkelje me kushtet dhe kufizimet e parashikuara në “Aktin e Transferimit”. Kufizimi për ndryshimin e gjendjes së pasurisë përfshin mbrojtjen e karakteristikave të aseteve të caktuara për cilësi të veçanta historike dhe kulturore të cilat kanë nevojë të mbrohen me shumë kujdes sipas specifikimeve në “Aktin e transferimit”.
Sipas ligjit ‘Për transferimin e pronave shtetërore të paluajtshme tek Njësitë e Qeverisjes Vendore”, kufizime mund të vendosen edhe mbi të drejtën e qeverisë lokale për të hequr dorë nga (pra për të shitur) një pronë bashkiake. Ky kufizim kryesisht ushtrohet mbi sipërfaqe toke për t’i lejuar qeverisë qëndrore të përfundojë më parë procesin e rikthimit dhe kompensimit të pronës-tokë tek ish-pronarët.
Këshilli bashkiak apo komunal, është pronari i aseteve bashkiake dhe ka autoritetin e plotë në marrjen e vendimeve, në përputhje me ligjin, për përcaktimin nëse njësia vendore të zotërojë ose heqë dorë nga asetet dhe të vendosë norma për përftimin ose shitjen e tyre. Kur transferimi në pronësi është realizuar plotësisht, këshilli bashkiak jep vendimin për ta privatizuar një aset bashkiak, në rastet kur aseti nuk është më i nevojshëm për të siguruar shërbime publike dhe nuk do të nevojitet në të ardhmen për sigurimin e shërbimeve me efikasitet. Pikërisht ky është momenti që përmenda më sipër. Këtu mendoj se këshillat bashkiake kanë një moment dhe rast të tregojnë në mënyrë racionale se ata janë në favor të pronarit të ligjshëm. Asetet e rëndësishme që përdoren për një funksion kryesor, përgjithësisht duhet të mbesin nën pronësinë e bashkisë, me destinacion përdorimi të përcaktuar qartë, në favor të komunitetit për sot dhe për të ardhmen.
është përgjegjësi e institucionit ekzekutiv, pra e stafit të bashkisë apo komunës, të përcaktojë shkallën e rëndësisë të asetit, dhe më pas këshilli bashkiak duhet ta aprovojë privatizimin ose jo të tij. Shitja e një aseti është një vendim i rëndësishëm dhe duhet të ketë një përcaktim të kujdesshëm ku të jepet në mënyrë të saktë që ai nuk nevojitet në momentin e tanishëm, por gjithashtu dhe që nuk do nevojitet në të ardhmen për përmbushjen e shërbimeve.

Autori është ekspert lokal i Shoqatës së bashkiakëve të Shqipërisë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›