E Diel, 1 Nëntor 2026

Krititat e OSBE-së: “Duhet të ndëshkoni ashpër korrupsionin”

Autori i Lajmit: Redaksia

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka kërkuar dje nga institucionet ligjzbatuese në vend, që të jenë më të ashpra në dënimet që japin për zyrtarët e korruptuar.
Kritikat u lëshuan dje nga zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Renate Herrmanns gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave të trajnimit të zyrtarëve publikë mbi “Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Administratën Publike”. Në këtë ceremoni rreth 600 zyrtarë të ministrive kryesore u certifikuan, pas një trajnimi disa mujor.
Renate Herrmanns
“Duhet të krijohet një regjistër bindës verdiktesh, dhe dënimesh e gjobash të ashpra në rastet e korrupsionit. Rëndësia e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat në luftën kundër korrupsionit duhet të ritheksohet, pasi zbatimi i efektshëm i legjislacionit kërkon bashkëpunim midis shtetit dhe aktorëve të shoqërisë civile”, tha përfaqësuesja e OSBE-së, Renate Herrmanns. Ajo ka përgëzuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për përpjekjet dhe arritjet në luftën kundër konfliktit të interesit në administratën publike dhe miratimin e një sërë ligjesh, por ka theksuar se kjo nuk është e mjaftueshme. “Disa raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit si Indeksi i vitit 2009 i Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit tregojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Korrupsioni mbetet një nga problemet, me të cilat duhet të përballet qeveria aktuale. Zëvendës/ambasadorja e OSBE-së, Renate Herrmanns tha se të dhënat e raporteve mbi korrupsionin në Shqipëri ndikojnë jo vetëm në imazhin negativ të vendit, por parandalon edhe investimet, ndaj kërkohet zbatimi i ligjit. Ajo u shpreh se do të ishte një zhgënjim i madh nëse gjithë ky zhvillim i madh social, ekonomik dhe politik që ka bërë Shqipëria në procesin e reformave të çalonte për shkak të mosecjes përpara në fushën e adresimit të korrupsionit.
Ministri Basha
I pranishëm në dorëzimin e certifikatave për 600 zyrtarë të ministrive kryesore në vend ka qenë edhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Adriatik Llalla, kryeinspektor i pasurive u shpreh se kjo do të krijojë një mekanizëm të mirë të luftës kundër korrupsionit, kryesisht për parandalimin e konfliktit të interesit, që është një nga pengesat kryesore në administratën publike. “Periudha shtator-shkurt shënon një rritje të kallëzimeve penale dhe të arrestimit të zyrtarëve publikë deri në nivelet e larta politike. Kemi një rritje të ndjekjeve të suksesshme nga prokuroria si dhe fillimet e ndërtimit të një arkivi të suksesshëm të dënimeve të zyrtarëve publikë”, u shpreh Basha.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›