E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet Çlirohen nga uji 120 banesa, përgjysmohen shkarkimet

Autori i Lajmit: Redaksia

Shtabi i Emergjencës raportoi dje përmirësimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme nga e cila varet edhe Drejtoria e Emergjencave Civile rreth 50 banesa kanë mbetur të përmbytura, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit më se 20 shtëpi janë “liruar” nga uji. Sipas të dhënave zyrtare nga Shtabi i Emergjencës, rreth 805 banesa raportoheshin dy ditë më parë në prani të ujit ndërsa dje në këtë gjendje ndodhen vetëm 700 shtëpi të banorëve të zonës. Sipas burimeve të njëjta, shkarkimet nga HEC-i i Vaut të Dejës i cili derdh ujin direkt në lumenjtë përgjatë Shkodrës janë përgjysmuar, duke rënë në vetëm 540 m3ujë/sek. Vetëm dy ditë më parë gjendja në zonën e Nënshkodrës paraqitej shumë e rëndë, ku përmbytja e dytë mbante të zaptuara ende 5850 Ha tokë. Bilanci ishte 308 persona të evakuuar, 74 banesa nën ujë dhe 805 banesa në prezencë uji. Me përmirësimin e motit dhe uljen e nivelit të reshjeve duket se është rikthyer shpresa për banorët e zonës së Nënshkodrës, të cilët këtë fillimit kanë përjetuar makthin e përmbytjeve për shkak të rëndimit të situatës në tre hidrocentralet kryesore që gjenden mbi Drin, atë të Fierzës, Vaut të Dejës, por dhe të Komanit. Situata ditët e fundit u përkeqësua edhe për shkak të përmbytjeve që po ndodhnin në anën tjetër të Shqipërisë, me fryrjen e Liqenit të Ohrit mbi kuotën maksimale të parashikuar në marrëveshjen dypalëshe, Shqipëri-Maqedoni për ujërat territorialë. Por, natyra duket se ka hequr dorë dhe gjithçka tani po i rikthehet normalitetit. Ende banorët nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e lëna nga vërshimi i ujërave të Drinit në fillim të janarit, ndërsa ende nuk ka informacion se çfarë do të bëhet me dëmet e shkaktuara ditët e fundit.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›