Ide/Izolimi evropian i shtetit më të ri të botës
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe me njohjen e saj nga vendet më të fuqishme të botës, u arrit edhe synimi i shqiptareve për shtetbërje. Bashkimi Evropian disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, përkatësisht në muajin maj të vitit 2008 filloj edhe procesin për liberalizimin e vizave për vendet e Evropës Juglindore. Vendet të cilat u përfshinë në procesin e liberalizimit të vizave ishin: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, por jo edhe Kosova. Këtyre vendeve ju përcaktua udhërrëfyesi me afro 50 kushte që duhet t’i plotësonin për të përfituar nga udhëtimet pa viza dhe atë që nga pasaportat biometrike, bashkëpunimi policor, procedurat e rregulluara të azilit etj.
Për çudi në fund te vitit 2009, liberalizimi i vizave u bë vetëm për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe më i çuditshme ishte fakti se vendet myslimane Shqipëria dhe Bosnja nuk u përfshinë.
Kosova, as nuk ishte në rend të ditës për ketë çështje, kështu që në vend se të bëhemi pjesë e zonës Shengenit, Bashkimi Evropian dërgojë në vendin tonë, Misionin për sundimin e ligjit (EULEX), synimi i të cilit ishte të ndihmoj institucionet Gjyqësore dhe ato të sigurisë.
Me ardhjen e EULEX-it në Kosovë u rriten shpresat se do të përshpejtoheshin integrimet Evropiane dhe përfundimisht do të tejkaloheshin pengesat e tanishme. Megjithatë këto pengesa nuk janë menjanuar dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë një prej vendeve më të izoluara në botë, në kuptimin e kushteve për viza.
Pasaporta e Kosovës, që u lëshua në korrik të vitit 2008 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, aktualisht është një prej pasaportave më së paku të dobishme, në aspektin e udhëtimit jashtë Kosovës.
Përderisa qytetarët e Afganistanit që është vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës, mund të udhëtojnë pa viza në më shumë se 22 shtete, në kontinentin e Evropës së cilivizuar në një vend të quajtur Kosovë, qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza vetëm në 5 vende dhe atë në Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Mal të Zi dhe Haiti.
Mënyra tjetër e matjes së izolimit është të shihet se sa lehtë është të merret viza. Në vendin tonë situata është edhe me e keqe se në vendet e rajonit. Në Kryeqytetin tonë është një numër i kufizuar i konsullatave, ku 10 vende nga 27 shtetet anëtare të BE-së lëshojnë viza. Për marrjen e vizave shpesh duhet me udhëtu edhe jashtë Kosovës, përkatësisht në Shkup dhe Tiranë. E gjithë kjo kushton sepse një aplikacion për marrjen e vizës mesatarisht është 124 euro dhe kjo shumë është tepër e lartë në krahasim më numrin e madhë të të papunëve dhe me pagën mesatare që është rreth 240 euro. Gjithë ky investim për marrjen e vizave është i rrezikshëm sepse më shume se gjysma e aplikacioneve refuzohen.
Meqenëse Kosova nuk është pranuar nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, gjegjësisht nga pesë vende, shumë analist dhe politikan e shohin si pengesë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Mirëpo vlen të theksohet se Republika e Tajvanit nuk është pranuar nga as një shtet anëtar i BE-së, por ky shtet është duke berë dialog shumë serioz për heqjen e vizave me Komisionin Evropian dhe kjo nuk shihet si pengesë. Në ketë drejtim më 29 tetor të vitit 2009, i dërguari i lartë i BE-së në Tajvan tha që Komisioni Evropian është duke punuar fuqishëm me autoritetet tajvaneze në mundësimin e privilegjeve pa viza për shtetasit tajvanez, që të hyjnë në zonën e Shengenit, por nuk dha ndonjë afat për këtë.
Irlanda dhe Britania e Madhe që janë anëtarë të BE-së, jo edhe pjesë e Shengenit, kanë liruar nga vizat shtetasit tajvanez.
Në fund të vitit 2010, pasi qe Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina do të gëzojnë mundësin e udhëtimit pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, qytetarët e Republikës së Kosovës do ta kuptojnë se sa të izoluar janë.
E vetmja mundësi shqiptareve të Kosovës do tu mbetet të bëhen shtetasë të shtetit amë Shqipërisë, në mënyrë që të udhëtojnë pa viza.
Kështu që Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, e ka obligim moral, kombëtar dhe mbi të gjitha kushtetues që tu lejojë shqiptareve të Kosovës të bëhen shtetas të shtetit Shqiptar.
Student i fakultetit Juridik në studimet postdiplomike-Master, drejtimi civil si dhe absolvent në departamentin e shkencave politike dhe administratës publike të UP-së