E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riedi nuk e lëshon Hamdi Salihin

Sulmuesi kuqezi ka disa oferta, por përfaqësuesi i klubit austriak nuk është treguar i gatshëm të bisedojë

Transferimi i sulmuesit të kombëtares, Hamdi Salihi, nga Riedi drejt një ekipi tjetër duket se është kthyer në një punë menaxherësh, të cilët kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga kjo lëvizje. Kur pritej që çështja të zgjidhej sa më shpejt (ishte në interes të vetë Riedit) dhe golashënuesi të mësonte ekipin e tij të ri, papritur klubi austriak u ka bërë bllokadë bisedimeve me menaxherin personal të futbollistit. Arsyet? As vetë Salihi nuk është në gjendje t'i shpjegojë. "Aktualisht ndodhem në Austri dhe u bënë tri ditë që kam nisur stërvitjen me Riedin. Për momentin, përfaqësuesit e klubit nuk më kanë thënë gjë. Me sa po shikoj, nuk ma merr mendja se do të lëviz gjatë këtij muaji. Pra, gjithçka mund të ngelet për në verë, kur dhe unë e përfundoj kontratën me Riedin. Natyrisht, nëse ndodh kështu, automatikisht jam lojtar i lirë dhe nuk do të kem asnjë detyrim ndaj klubit. Duke parë që kjo çështje nuk është vendosur akoma fiks nga ana e vetë klubit, nuk kam çfarë të them më tepër,"- tregon shkodrani nëpërmjet linjës telefonike nga Austria. Ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë, edhe pse 24-vjeçari tregohet modest, duke mos e parë të arsyeshme për të përmendur emra klubesh, përderisa gjithçka ka ngecur. Megjithatë, Salihin e shqetëson diçka. "Nuk e kuptoj pse menaxheri që përfaqëson klubin e Riedit, nuk po tregohet i gatshëm të bisedojë. Sinjale ka shumë, por gjithçka mbetet në dorë të klubit. Sidoqoftë, unë do të vazhdoj stërvitjen për të kapur formën maksimale, në mënyrë që më 18 shkurt, kur fillon kampionati austriak, të jem plotësisht i gatshëm." Sipas burimeve pranë futbollistit të kombëtares, interesim konkret për të ka nga dy klube turke, gjithashtu ekipe të kampionatit ukrainas dhe atij francez. "Çdo futbollist dëshiron të luajë me një klub sa më të madh. Unë shpresoj që të bëhet më e mira,"- përfundon Salihi. Në 14 ndeshje të luajtura këtë sezon me fanellën e Riedit, sulmuesi ka shënuar katër gola, ndërkohë që si rrallëherë, është ndëshkuar edhe me një karton të kuq. Ai ka munguar në shtatë ndeshje, për shkak të një dëmtimi kronik në kavilje. Tek ekipi austriak ai mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm, edhe pse kohët e fundit ka pasur një "përplasje" me trajnerin Paul Gludovac. Madje ky i fundit, në një prej seancave stërvitore para ndeshjes me Kapfenbergun, ku shkodrani qëndroi në stol, me shaka i ka thënë: "S'ke faj, e ke mendjen të largohesh."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›